Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku, ditën e sotme ka bërë disa lëvizje në prokuroritë e rretheve.

Kështu, në prokurorinë e Elbasanit drejtuesi i kësaj prokurorie Dritan Gina, i cili ishte i komanduar është zëvendësuar nga Ardian Nezha.

Vetëm pak orë pasi lajmi u bë publik, Gina doli në një konferencë për mediat, duke deklaruar se nuk kishte ndërmend që të linte zyrat e kësaj prokurorie, pasi vendimi i Markut ishte në kundërshtim me ligjin e Prokurorisë.

Ai ka mbledhur stafin e institucionit, duke i komunikuar edhe vendimin.

“E ushtroj këtë detyrë që nga 03.07.2017 në bazë të ligjit dhe do largohem nga kjo detyrë vetëm kur ta vendosë Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Refuzoj të zbatoj një urdhër të paligjshëm. Nuk do ta braktis detyrën dhe do vijoj të ushtroj funksionin sikurse parashikon ligji. Sapo u urdhri i Prokurores se Përkohshme të mbërrij në zyrë do bëj një kallëzim penal” tha ai në deklaratën për mediat.

Ndërsa, në orën 15:00, për të marrë detyrën si kryeprokuror i Elbasanit është paraqitur Ardian Nezha, por ai nuk ka mundur të prezantohet, pasi dera e zyrës ku bëhen mbledhjet ka qenë e mbyllur.

I ndodhur në të tilla kushte, vetëm pak minuta më vonë ai është parë të dalë nga ky institucion pa marrë detyrën e ngarkuar nga kryeprokurorja Arta Marku.