*Mediat publikuan minutë pas minute ngjarjen e hidhur!

Këto foto, katër nga të cilat të papublikuara më parë, rikthejnë në vemendje tragjedinë e 9 janarit 2004, kur në ujërat detare pranë Karaburunit humbën jetën 20 shqiptarë, shumica të rinj, ndërsa 8 të tjerë u shpallën të humbur.

Ngjarja që ka hyrë në memorien kolektive si më e rënda në det pas vitit 1997 mbahet mend edhe për rolin parësor që patën mediat për kushtrimin e lajmit.

Dy prej televizioneve, ende të rinj në moshë, insistuan deri në fund për të mësuar të vërtetën tragjike të fatkeqësisë që po konsumohej në ujërat e ftohta të Adriatikut dhe gjatë gjithë natës njoftuan në çdo minutë publikun e mbërthyer para ekraneve.

Tri ditë më vonë zëdhënësi i NATO-s në vendin tonë deklaroi se mësoi për ngjarjen nga një gazetar lokal, çka vuri në lëvizje edhe helikopterët e mjetet lundruese të NATO-s dhe Grupit të 28-të detar Italian në Durrës.

Fotot janë sjellë në redaksinë e “DurrësLajm” nga gazetari Gëzim Kabashi, në atë kohë korespondent i ATSH-së në Durrës.

Momentet e rënda që ato përcjellin i përkasin orëve të para pasi u gjet “gomonia e vdekjes” dhe trupat e viktimave u sollën fillimisht në ishullin e Sazanit.

10 të shpëtuarit gjallë nga kjo tragjedi u trajtuan fillimisht në një nga anijet ushtarake të emergjencës dhe pastaj në spitalet e kryeqytetit.

G.K.