Zbulohen të tjera detaje nga ngjarja që habiti jo pak të gjithë stafin e spitalit dhe maternitetit të Durrësit.
Mësohet se fëmija që erdhi në jetë nga një nënë rreth të tridhjetave e që nuk ishte në dijeni aspak të faktit se ishte shtatzënë është i seksit mashkull. Dyshohet se gruaja e re ka probleme me bashkëshortin e saj.
Bebi që lindi rreth orës 23.00 të së dielës peshon 3100 gramë dhe është në gjendje të mirë shëndetësore, pavarësisht se e ëma nuk ka marrë gjatë shtatzanisë së dytë asnjë trajtim mjekësor, pasi nuk kishte dijeni për fetusin që po rritej në barkun e saj.
Mjekët e spitalit dhe ata të maternitetit shprehen mjaft të rezervuar përsa i përket identitetit të gruas, e cila, fëmijën e parë, të lindur rreth një vit më parë, tashmë e bëri me një vëlla të vogël.
Nëna dhe foshnja e porsalindur vazhdojnë të jenë nën kujdesin e mjekëve në maternitetin e Durrësit.
Siç informoi më herët gjatë ditës DurrësLajm, gruaja 30-vjeçare, banore në rrethinat e Durrësit, u paraqit një natë më parë në urgjencën e spitalit të Durrësit me dhimbje të forta barku.
E shoqëruar nga një e afërme e saj, gruaja dyshonte se mund të vuante nga apendiciti apo tëmthi, por pas vizitës gjinekologjike, u zbulua se ajo ishte duke lindur dhe u shoqërua menjëherë në maternitet, ku solli në jetën djalin e saj.





