Alban Gjonmarkaj 28-vjeçar, ka kapur i pari kryqin në ujin e ftohtë të Adriatikut. 28-vjeçari nga Durrësi së bashku me të rinj të tjerë sfidoi temperaturat e ujit në portin e Durrësit, duke kapur kryqin e së bashku me të edhe shpërblimin e caktuar.
Festa që simbolizon ditën e shenjtë të “Ujit të bekuar” përcillet çdo vit në qytetin e Durrësit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët ortodoksë. E kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, për besimtarët durrsakë është një prej kremteve më të mëdha të kishës.
Ceremonia e kësaj dite të shenjtë, si çdo vit, filloi herët në mëngjes në kishën e qytetit bregdetar në të cilën kanë marrë pjesë qindra besimtarë të fesë ortodokse. Pas kësaj besimtarët u nisën me kryqin në dorë për në portin e Durrësit ku kryhet edhe hedhja simbolike e kryqit. Ceremonia u krye në sheshin para kalates nr.4 të portit, në të cilën kanë qëndruar në pritje 3 të rinj në garë për të kapur kryqin e drunjtë.
Këtë vit, kryqi është kapur nga 28-vjeçari Alban Gjonmarkaj nga qyteti i Durrësit, i cili i uroi të gjithë besimarët e krishterë për festën.
Besimtarët në këtë ditë mbushin ujin e bekuar të cilin e ruajnë për një vit në shtëpitë e tyre.
K.H.





