Zbardhet dëshmia e tre kushërinjve nga Kurbini të arrestuar një ditë më parë pasi dyshohet të kenë qëlluar me armë në lagjen "Sanxhak", ku u gjet i vrarë me një plumb në kokë 16-vjeçari Klejdi Gjeta.

"BalkanWeb" mëson se Alban Lika, 25 vjeç, Ernis Lika, 20 vjeç dhe Arbër Lika, 18 vjeç, kanë pranuar të kenë udhëtuar me mjetin tip "Benz" natën e ndërrimit të viteve, ndërsa për të festuar kanë qëlluar me armë në ajër.

"Qëlluam me armë në ajër për të festuar", mësohet të jenë shprehur ata.

Por, ndërsa policia pret të gjejë armën me të cilën ata kanë qëlluar në ajër, të tre kushërinjtë kanë kyçur gojën, sa i përket vendndodhjes së saj. Burime pranë policisë së Laçit bëjnë me dije se vijojnë kërkimet për armën, pasi vetëm ekspertiza balistike e saj mund të zbardhte ngjarjen.

ARRESTIMI
Tre kushërinjtë Lika, ashtu si edhe të rinj të tjerë nga Laçi e Shkodra kanë publikuar video nga momenti kur qëllonin me armë në rrjetet sociale. Sipas policisë, këta persona kanë qëlluar me armë pranë lagjes "Sanxhak" ku humbi jetën 16-vjeçari Klejdi Gjeta, i cili kishte hipur në tarracën e shtëpisë për të hedhur fishekzjarre.

NGJARJA
Mbrëmjen e ndërrimit të viteve më 31 dhjetor Klejdi Gjeta u çua nga tavolina e festës familjare për të ndjekur nga tarraca e shtëpisë festën e fishekzjarreve, por nuk u kthye më kurrë. Ishin familjarët ata që gjetën të riun me plagë në kokë mbi tarracë. Ndonëse shpejtuan t’i japin ndihën e parë ai nuk mundi të mbijetonte. Nga ekspertiza e një dite më parë mbi trupin e 16-vjeçarit rezultoi se ai ishte goditur nga një plumb, me shumë gjasa qorr, por që i ka shkaktuar vdekjen.

Burimi: BalkanWeb