Qeveria ka vendosur të japë një ndihmë financiare prej 5 milionë lekësh për familjen e ish-inspektorit të policisë, Ervin Haxhiu, i cili humbi jetën në krye të detyrës. Haxhiu humbi tragjikisht jetën në shtator të vitit të kaluar, teksa u përplas me makinë nga djali i ish-deputetit socialist në Qarkun e Shkodrës, Ndue Kola.
Ngjarja ndodhi në Kamëz, ku 22-vjeçari Arnold Kola ishte nën efektin e alkoolit në momentin që ka përplasur patrullën e policisë, duke i marrë jetën ish-policit Haxhiu, baba i tre fëmijëve.
VENDIM
Nr. 787, datë 28.12.2017
PËR DHËNIE NDIHME FINANCIARE FAMILJES SË INSPEKTOR ERVIN ROBERT HAXHIU, ISH-PUNONJËS POLICIE, I CILI KA HUMBUR JETËN NË KRYE TË DETYRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr. 130/2016, “Për buxhetin e vitit 2017”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Dhënien e ndihmës financiare prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh, familjes së inspektor Ervin Robert Haxhiu, ish-punonjës policie në Komisariatin e Policisë nr. 5, Kamzë, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, i cili ka humbur jetën në krye të detyrës.
2. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
3. Vendimi nr. 894, datë 21.12.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për dhënie ndihme financiare familjes së inspektor Ervin Robert Haxhiu, ish-punonjës policie, i cili ka humbur jetën në krye të detyrës”, shfuqizohet.
4. Ngarkohet Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.





