Deputetja e Durrësit, Fatbardha Kadiu, së bashku me ish ministren teknike të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë Xhuljeta Kërtusha është ndalur sot në bibliotekën e fëmijëve në qytetin e Durrësit.
Me rastin e festave të fundvitit, ato i kanë dhuruar bibliotekës së fëmijëve disa libra.
Përmes një mesazhi në Facebook, Kadiu shkruan se është e rëndësishme të ushqejmë fëmijët me libra për t’i shërbyer të ardhmes dhe mirë arsimimit të tyre.
Statusi i plotë i Kadiut:
Me ish-Ministren e Mirëqënies Sociale dhe Rinisë në bibliotekën e fëmijëve në qytetin e Durrësit.
Në këto ditë festive duam që t’ju kujtojmë të gjithëve që festat më shumë se të gjithë gëzojnë fëmijët dhe janë për fëmijët.
Ata janë qendra e vëmendjes e familjeve, shkollës, e të gjithëve, sepse fëmijë të lumtur dhe të mirarsimuar janë e ardhmja jonë!
Prandaj dhe ne menduam të festojmë së bashku me fëmijët atje ku kontakti me dijen është dhe më pranë, në bibliotekën e qytetit tonë.
Ne kemi zgjedhur të dhurojmë në mënyrë modeste libra për fëmijët sepse siç ka thënë Nënë Teresa: Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe.
Me shembullin tonë duam të ftojmë të gjithë që të afrojmë fëmijët tek libri dhe të rijetëzojmë bibliotekat.
Me dëshirën për të pasur kontribute të tilla nga të gjithë, ne u urojmë të gjithë qytetarëve të Durrësit dhe në mënyrë të veçantë fëmijëve: Një vit të mbarë 2018!





