Në konferencën e fundvitit me gazetarët, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në 6-mujorin e parë të vitit 2018 administrata shtetërore do të kalojë në "sitë".
Sipas Ramës, administrata do të "pastrohet" nga ata punonjës që nuk zotërojnë një diplomë që përputhet me vendin e punës, apo që janë punësuar me dokumente false.
"Vettingu në Polici do të nisë në janar pasi gjatë 100 ditëve të para është përgatitur gjithë baza për zbatimin e tij. Ndërkohë kemi përgatitur bazën për të bërë një vetting në administratën shtetërore, nuk flas për administratën publike, për shërbimin civil, që në një farë mënyrë është një sistem i garantuar, dhe që baza shumë të favorshme për t’u forcuar në vijimësi, por flas për pjesën tjetër të administratës. Do të largohen ato punonjës kur diploma nuk përputhet me vendin e punës, apo për ato rekrutime që janë bërë me letra false. Janë shumë të tilla për fat të keq. Dhe në 6 muajt e parë të vitit të ardhshëm do të bëjmë një pastrim në këtë aspekt."





