“Paga ime është padrejtësisht shumë më e lartë se e juaja, e këtë diferencë sëbashku ne do ta ngushtojmë. Nuk mund t’ju premtoj se në fund të këtyre 4 viteve paga juaj do jetë shumë afër times, por mund t’ju premtoj këtë gjë, që e imja nuk do rritet, ndërsa e juaja do të rritet vit për vit. Kjo është pak, por e sigurtë dhe do të bëhet në vijimësi”.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama, gjatë pritjes me mësues nga i gjithë vendi me rastin e festave të fundit të vitit, të cilëve u tha se qeveria ka në plan rritjen e mëtejshme të pagave të tyre.
Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu edhe hapjen e një shkolle të re, për drejtorët e shkollave.
“Ndërtimin dhe fillimin e punës së shkollës së drejtorëve, një institucion i ri për të mundësuar rritjen e kapaciteteve në drejtimin dhe administrimin e shkollave. Ju të gjithë jeni dëshmitarë se sa e rëndësishme është që shkolla të ketë drejtues dhe sa rëndësi ka kjo”, theksoi Rama, i cili tha që viti që vjen do të jetë edhe fillimi i reformës së drejtimit të arsimit.
Zgjedhjen për të shkuar në këtë mbrëmje me atlete të bardha, Kryeministri e shpjegoi: “Solidaritet me mësuesit e Fiskulturës”.





