Gjatë një takimi me simpatizantë në Lezhë, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se vendi ndodhet në një udhëkryq vendimtar, ku shumica e shqiptarëve po varfërohen dhe po humbasin të drejtat nga sundimi i një pakice të kriminalizuar dhe të korruptuar.
“Shqipëria sot nuk ka një qeveri dhe kryeministër, por ka një bandë dhe kapobandë, që e ka kthyer vendin në zonë të lirë për krimin dhe po kap drejtësinë për të mos dhënë llogari para saj. Akti antikushtetues i kapjes politike të Prokurorit të Përgjithshëm është prova me e qartë”, u shpreh Basha.
“Efektin e parë të emërimit të Ramës kryeprokuror e patë me kthimin e pasaportës te Saimir Tahiri. Ky është fillimi i një akti antikushtetues, i cili përqendron pushtetin e drejtësisë në duart e personit që duhet të përgjigjet para drejtësisë dhe i jep një goditje, ndoshta vdekjeprurëse, reformës në drejtësi”, theksoi kreu i PD-së.
Lulzim Basha tha se skandali i Saimir Tahirit, ministrit të Brendshëm që drejtonte trafikun ndërkombëtar të drogës me bekimin e kryeministrit, ka vulosor fatin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.





