Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati e cilëson si të nxituar dhe të pavend letrën që Presidenti i Republikes Ilir Meta i dërgoi Presidentit Donald Trump në të cilën i kërkonte falje për qëndrimin e Shqipërisë kundër vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit, në Asamblenë e OKB-së.
“Nuk kam asnjë lloj dëshire të komentoj veprimet e pamendurara, të nxituara që mund të marrin aktorë të ndryshëm, përfshirë këtu edhe Presidentin e Republikës. Faktet flasin qartë, trillimet janë një çështje tjetër, çdokush është i lirë të shkruajë, të përdorë pozicionin shtetëror, por mund të them që Shqipëria është një Republikë Parlamentare. Ekskluzivitetin në formulimin e politikës së jashtme e ka qeveria”.
Të gjithë ata që e cilësuan si votë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë edhe kreun e shtetit, ministri i quan diletantë.
“Është për të ardhur keq sepse të gjithë këta që kanë folur për këtë çështje, përfshirë dhe Presidentin e Republikës, nuk kanë marrë mundimin për të lexuar tekstin e rezolutës së votuar ku nuk ka asnjë paragraf as për SHBA, as për qëndrimin e Presidentit Trump. I gjithë ky teatër absurd që po luhet gjithë këto ditë nga këto diletantë, të krijon përshtypjen e një teatri të lodhur, të krijon përshtypjen që ky grup aktorësh të mbetur pa kauzë nuk kanë çfarë bëjnë gjë tjetër, veçse të spekulojnë mbi këtë çështje, e cila në fakt duket sikur do ta nxjerrin Shqipërinë një shtet qesharak që nuk është”,- tha Bushati në intervistën për Tv Klan.





