Ende pa mbërritur në shtëpi trupi i pajetë i Florenc Beqirajt, nisin në Tiranë grindjet dhe deklaratat politike për vdekjen e tij. Ngjarja provokoi protesta qytetare dhe ndërsa zbulohen detaje të reja, vijnë edhe reagimet e para politike.

I pari që kërkoi një reagim më të fortë nga shteti shqiptar ishte Lulzim Basha. Sipas tij, përgjegjës është direkt për faqtkeqësinë është kryeministri Rama. “Shkaktari dhe përgjegjësi kryesor i kesaj gjendje heshti edhe sot per vdekjen e Florencit 23-vjeçar, sic hesht cdo dite per largimin masiv te shqiptareve” , shkroi ndër të tjera Basha në reagimin e tij të parë.

Ndërkohë, presidenti Ilir Meta ngushëlloi familjen përmes këshilltarëve. Në takim me nënën e Florenc Beqirajt u dha premtimi se Meta po bën përpjekjet për ta sjellë trupin e Florenc Beqiraj në Shqipëri.

Të njëjtën nismë për sjelljen e trupit të Florencit në Shqipëri e ka ndërmarrë edhe Ministria e Jashtme, me anë të ambasadës tonë në Francë. “Ambasada po kujdeset për kryerjen e të gjitha procedurave për kthimin e trupit të të ndjerit në Shqipëri”, thuhet në një njoftim të ministrisë për mediat.

Pas kësaj kakofonie të krijuar mbi trupin e Florenc Beqirajt, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e pa të udhës të shpërndajë edhe një thirrje për aktorët politikë, që “të dëshmojnë urtësi e të mos bien në kurthin e instrumentalizimit politik të kësaj fatkeqësie”. /Lapsi.al/