Këshilltarët e PD në Këshillin Bashkiak të Durrësit bojkotuan sot paradite mbledhjen ku do të votohej për herë të dytë buxheti i vitit 2018.

Arsyen e këtij bojkoti e shpjegon në një postim në Facebook, një nga anëtarët demokratë të këshillit, Ivo Jorgoni.

Sipas tij, grupi i këshilltarëve të PD-së vendosi t’i linte karriket bosh në mënyrë që këshilltarët që do të thyenin vendimin e grupit të kishin një emër.

“Ne si Grup i Keshilltareve te djathte ne Keshill ishim ne medyshje te merrnim pjese duke bere opoziten tone ne salle apo te bojkotonim duke lene karriget bosh ne menyre qe kushdo qe do te dilte ne krah te Dakos dhe kesaj qeverie te kishte nje emer. Bojkotuam!”,- shkruan Jorgoni.

Madje Jorgoni i referohet lajmit të DurrësLajm (të cilin e ka postuar të plotë) për të njoftuar se kush ishin këshilltarët bashkiakë të opozitës që ngritën kartonin jeshil për buxhetin.

Këshilltari i PR-së Dilaver Tepelena dhe këshilltarët e LSI-së Adriana Hatellari, Iris Gruda, Sanije Doda, Skender Korriku bashkuan votat me këshilltarët e PS-së, PDIU-së dhe FRD-së duke e miratuar me 26 vota pro buxhetin e bashkisë Durrës për vitin 2018.

Postimi i plotë i Ivo Jorgonit:

Sot ne Keshillin Bashkiak Durres votohej Buxheti 2018. Ne si Grup i Keshilltareve te djathte ne Keshill ishim ne medyshje te merrnim pjese duke bere opoziten tone ne salle apo te bojkotonim duke lene karriget bosh ne menyre qe kushdo qe do te dilte ne krah te Dakos dhe kesaj qeverie te kishte nje emer. Bojkotuam! 
Sot buxheti u miratua!!! Paterica e Dakos ne opozite ka nje emer. 1 keshilltar nga PR dhe 4 te LSI.