Ditën e sotme, ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjen, së bashku me ministren e Mbrojtjes dhe Luan Bregasin, depozituan në Komandon Ushtarake të Mbrojtjes Vaqarr, ndihmat e siguruara nga dhjetëra kompani shqiptare për familjet e prekura nga përmbytjet.

Grumbullimi i ndihmave erdhi pas apelit të bërë 2 javë më parë nga ministrja Qato, përmes të cilit kërkohej solidarizimi i sipërmarrësve ndaj atyre familjeve që si rrjedhojë e përmbytjeve që prekën vendin gjenden në kushte vështirësie.

Ndihmat e grumbulluara janë kryesisht me bazë ushqimore dhe pajisje elektroshtëpiake. Ato vijnë dhe si një ndihmesë në prag festash, ndaj ato do të shpërndahen brenda javës që vjen në bazë të listës së kërkesave që do të paraqisin bashkitë e zonave të prekura.

Ministrja Xhaçka siguroi se asistenca për reabilitimin vijon dhe se puna nuk ka ndaluar vetëm në ditët e para të emergjencës por se Qeveria është e pranishme afër nevojtarëve derisa rehabilitimi i zonave të përfundojë plotësisht, ndërsa ministrja Qato falënderoi tërë kompanitë private që iu përgjigjen me bujari apelit të saj.