Byroja e Kuvendit ka pranuar të enjten kërkesën e Partisë Socialiste për përjashtimin e 7 deputetëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, pas incidenteve gjatë seancës ku u zgjodh Kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku. 

Me anë të një letre drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçit, PS kërkoi që për Monika Kryemadhin, Keidi Mehmetajn, Endrit Braimllarin nga grupi i LSI, si dhe për Flamur Nokën, Ervin Salijanjin, Bardh Spahian e Endri Hasën nga radhët e demokratëve, të merret masa e përjashtimit nga pjesëmarrja në komisione e në seancën plenare për 10 ditë.

Në kërkesën e saj, PS arsyetonte se kjo masë duhej marrë për dhunën verbale e fizike të ushtruar ndaj kryeministrit, anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe punonjëseve të Gardës, gjatë seancës të së hënën ku u votua Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme.

Përveç 7 deputetëve të opozitës, Byroja e Kuvendit përjashtoi me 5 ditë edhe Bujar Çelën e Partisë Socialiste.