Byroja e Kuvendit është mbledhur këtë të enjte për të shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste, për përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të 7 deputetëve opozitarë.

Me anë të një letre drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçit, PS kërkoi që për Monika Kryemadhin, Keidi Mehmetajn, Endrit Braimllarin nga grupi i LSI-së, si dhe për Flamur Nokën, Ervin Salijanjin, Bardh Spahian e Endri Hasën nga radhët e demokratëve, të merret masa e përjashtimit nga pjesëmarrja në komisione e në seancën plenare për 10 ditë.

PS arsyeton në kërkesën e saj, se kjo masë duhet marrë për dhunën verbale e fizike të ushtruar ndaj kryeministrit, anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe punonjëseve të Gardës, gjatë seancës të së hënës ku u votua Prokurorja e Përgjithshme e përkohshme.