Pas akuzave të vazhdueshme të artikuluara nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha në adresë të tij, ka ardhur reagimi i kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.
Në një postim të Facebook, Dako shkruan: Kam vendosur ta çoj në gjyq Lulëzim Bashën, si një shpifës profesionist që e ka kaluar cakun e tolerancës time.
Ndërsa e cilëson “karafil” kreun e opozitës, Dako shprehet i vendosur për ta çuar deri në fund gjyqin e tij ndaj Bashës.
“Kam marrë vesh që ky karafil nuk shkon në gjyqet ku e çojnë njerëzit që i akuzon me shpifjet e tij ordinere! Por vjen s’vjen në gjyq të perballet me modelin e shpifur politik që ai mishëron, unë e kam ndarë mendjen që të mos i ndahem derisa të gjithë baltën e tij ta gëlltisë mbrapsht në sytë e gjithë popullit”,- shkruan Dako.
Statusi i plotë i Vangjush Dakos:
Kam vendosur ta çoj në gjyq Lulëzim Bashën, si një shpifës profesionist që e ka kaluar cakun e tolerancës time. Ky njeri që gënjen sy për sy kë t’i dalë përpara, një i paaftë që si kryetar bashkie la kokrrën e namit me paaftësinë e me gënjeshtrat e tij dhe si kryetar i opozitës e ka bërë qesharake Partinë Demokratike, duhet të përgjigjet përpara drejtësisë për shumë gjëra. Por nëse për ato të rëndat fare me dëme ekonomike kolosale, do t’i japë patjetër përgjigjet e veta përballë institucioneve të reja të reformës në drejtësi që ai po bën çmos ta bllokoje, me mua do të përballet e do të përgjigjet përpara gjykatës për shpifjet e tij prej mashtruesi profesionist.
Kam marrë vesh që ky karafil nuk shkon në gjyqet ku e çojnë njerëzit që i akuzon me shpifjet e tij ordinere! Por vjen s’vjen në gjyq të perballet me modelin e shpifur politik që ai mishëron, unë e kam ndarë mendjen që të mos i ndahem derisa të gjithë baltën e tij ta gëlltisë mbrapsht në sytë e gjithë popullit.





