Deputeti i majtë, Pjerin Ndreu pas protestës së PD-së dhe LSi-së, ironizoi se opozita nuk njeh "robt e shpisë së vet", teksa kundërshtuan zgjedhjen e kryeprokurores, duke aluduar për lidhje fisnore të Arta Markut me ish-deputeten e PD-së, Albina Deda.

Kjo e fundit përmes një postimi në Facebook, ka pranuar dhe sqaruar lidhjen familjare që ka me Kryeprokuroren e sapozgjedhur.

Deda thekson se "personaliteti dhe integriteti moral e profesional i prokurores Arta Marku është një model i cili i bën nder në çdo rast sistemit të drejtësisë".

POSTIMI I PLOTË

Pertej nje sqarimi!

Te dashur miq!

Zgjedhja e Prokurores së Përgjithshme të përkohshme ka bërë që gjithë këto ditë të kem qenë rëndom e lakuar në media, portale e rrjete sociale ndaj obligohem të sqaroj sa më poshtë:

-Është shumë e vërtetë se Arta Marku është njeri i afërt i familjes time dhe për këtë jam krenare. Kam qenë dhe jam pranë saj çdo moment dhe indinjohem thellë nga përgojime e hamendësime të pabaza dhe shpifje të rëndomta ordinere që bëhen ndaj saj.

-Unë nuk jam konstitucionaliste dhe as juriste por ajo që mund t`i servir hapur gjithë miqve dhe publikut është fakti se personaliteti dhe integriteti moral e profesional i prokurores Arta Marku është një model i cili i bën nder në çdo rast sistemit të drejtësisë.

-Arta Marku është po ashtu modeli i familjares së përkryer, i një zonje shembullore për familjen e saj, të afërmit dhe miqësinë.

-Prejardhja dhe geni familjar i Artës duhet t`i bëjnë të skuqen ata që intrigojnë dhe hamendësojnë të paqena. Ndër brezni familjare ajo shquhet për atdhetari, nder, dinjitet, bujari, sojni e krenari të cilat i ka manifestuar dhe do i manifestojë me konseguencë dhe në këtë post të lartë.

-Unë i përkas pa u lëkundur asnjë çast opozitës, asaj opozite anti-komuniste, jo përfituese e jo abuzuese dhe insistoj për një reformim të sistemit në tërësi dhe atij të drejtësisë në veçanti.

Por sistemin e bëjnë njerëzit dhe Arta Marku ju siguroj se është njëri nga personat e duhur që kuron me guximin, ndershmërinë e profesionalizmin këtë sistem të përçudnuar nga klonet e shëmtuara të diktaturës që akoma e sundojnë.

Edhe njëherë proklamoj simpatinë time të pakursyer për Arta Markun dhe besimin se do ta tregojë shumë shpejt se është e drejtë dhe pa kompromis ndaj krimit e korrupsionit pavarësisht nga vjen e ç’emër ka.