Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka ka publikuar në faqen e tij në Facebook, fotot e një dreke në Durrës, ku shihet në shoqërinë e Nard Ndokës, Vangjel Dules, Bamir Topit, Ben Blushit dhe Dashamir Shehit.
Bashkëngjitur me fotot, Duka shkruan: Sot në Durrës pata kënaqësinë të kisha Dashin, Bamirin, Benin, Nardin dhe Vangjelin për një bilanc të vitit që po mbyllet, por folëm edhe për çfarë na pret në 2018.
Këtë postim e ka shpërndarë dhe Nard Ndoka, i cili shkruan: “Agron Duka, mik i hershëm dhe bashkërrugëtar në politike sot! Mes miqsh kalohet bukur, humori i Dashit, vizioni i Benit, mprehtesia e Vangjelit, urtësia e Bamirit, garanci për më tej në politikë! Ngjarjet e fundit, kërkojnë ide të reja dhe bashkim!”
Një ditë më parë, në Kuvend u zgjodh mes një atmosphere goxha të tensionuar kryeprokurorja e përgjithshme e përkohshme, vetëm me votat e maxhorancës.
Takimi i sotëm në Durrës i të “vegjëlve” të politikës shqiptare mund të jetë nisja e krijimit të poli të tretë, që mund të paraqesë qëndrimet e veta lidhur me vendimmarrjen dhe politikat e ndjekura nga maxhoranca dhe opozita e vendit.





