Administrata shtetërore është vënë në hall të madh para Viti të Ri.
Qeveria ende nuk e ka hapur thesin e shpërblimeve, duke lënë ende me “gjak të ngrirë” punonjësit e administratës të cilët presin nga një “thelë” për festat e fundvitit.
Në kohën e ish-kryeministrit Sali Berisha administrata ka përfituar shpërblim nga 10 deri në 20 mijë lekë në çdo fund viti, ndërsa sapo Edi Rama kërkoi votën e shqipatrëve, premtoi edhe pagën e 13-të për të gjithë punonjësit e administratës.
Pensionistët kanë nisur të marrin shpërblimin prej 3 mijë lekësh për fundvit sipas datave të caktuara, ndërsa administrata jo që nuk ka marrë dijeni për ndonjë shpërblim konkret, por për pagën e 13-të as që bëhet fjalë deri tani.
Kryeminsitri Edi Rama deri tani ka qenë i zënë me zgjedhjen e prokurorit të ri dhe debatet politike, por familjet e administratës pak interes kanë kur bëhet fjalë për pagën e 13-të, e cila nuk u është futur akoma në buxhetin e tyre familjar.
Administrata e thjeshtë nuk bën as udhëtime në pune në Bruksel e në SHBA e as në ndonjë vend tjetër.
Ata nuk përfitojnë as dieta e as fonde.
Ata që i përfitojnë këto, nuk e ngrenë zërin për administratën e thjeshtë si në varësi të qeverisjes lokale dhe asaj qëndrore. Bashkia nuk dihet ende nëse do të japë shpërblim për punonjësit e saj, për ujësjellësin dhe rajonet në varësi. Në këtë vend nuk ka as sindikata dhe asnjë zë në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve.
K.H.





