Prokuroria e Krimeve të Rënda ka lënë të lirë 8 personat e shoqëruar pas "arratisjes" së skafit me drogë nga Porto Romano mbrëmjen e së dielës në 17 Dhjetor.

Të 8 personat e shoqëruar nuk kanë pranuar se kanë transportuar lëndë narkotike, pavarësisht se në vendin e ngjarjes, të gjitha provat flasin për këtë aktivitet.

Ata kanë hedhur në det telefonat që kanë patur në duar, duke humbur kështu provat për policinë dhe prokurorinë.

Burimet saktësuan se në vendngjarje u sekuestrua kareli 25 metra i gjatë i cili ka transportuar nga kamioni deri në det skafin që u ngarkua me drogë dhe i shpëtoi policisë.

Burimeve për DurrësLajm, bëjnë me dije se kareli i kësaj madhësie tregon që edhe skafi i cili është nisur me urgjencë nga bregdeti i Porto Romanos me drogën e transportuar po nga mjeti tip furgon i cili gjithashtu u gjet në vendin e ngjarjes, ka qënë i fuqishëm.

Por prokurorët dhe policia në vendngjarje gjeti mjetet, ndërsa "fakti" ishte larguar me shpejtësi, në errësirën e natës.

Pavarësisht se në vendin e ngjarjes u gjetën mjetet dhe u ndaluan në flagrancë dy persona provat nuk kanë qënë të mjaftueshme për autoritet ligj/zbatuese.

Të njëjtat burime kanë bërë me dije se roja bregdetare ka gjetur pamje të një skafi të paidentifikuar në ujrat territoriale por që më pas është zhdukur nga radarët në errësirën e natës.

Policia e Durrësit deri tani ka bërë publik faktin e një operacini të përbashkët midis policëve të tre vendeve, Italisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë, por pa mundur të zbulojnë më shumë.