Arta Marku e zgjedhur sot në krye të Prokurorisë së Përgjithshme me 69 vota të Partisë Socialiste rezulton e kallëzuar penalisht në korrik të vitit 2008.

Lapsi.al dispozon dokumentin që e fakton këtë gjë. Prokurorja e Shkodrës akuzohet për tre vepra penale pas një inspektimi të bërë nga Ministria e Drejtësisë e cila asokohe drejtohej nga Enkelejd Alibeaj.

Arta Marku ka lënë padrejtësisht në burg për 2 muaj dhe 13 ditë shtetasin Arben Ndoja. Sipas Ministrisë së Drejtësisë ajo ka konsumuar këto vepra penale. ‘Heqje e padrejtë e lirisë’, ‘Shpërdorim detyre’ dhe ‘Kryerja e veprimeve arbitrare ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve’.

Sipas Kodit Penal, për këto vepra dënimi është si më poshtë:

Dënim me gjobë deri në një vit burg për ‘Heqje të paligjshme të lirisë’.

Buurgim deri në shtatë vjet dhe me gjobë nga treqindmijë deri në një milion lekë për ‘Shpërdorim detyre’

Gjobë ose me burgim gjer në shtatë vjet për “Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare, nga ana e punonjësit që kryen një funksion shtetëror ose një shërbim publik gjatë ushtrimit të detyrës së tij, të cilat prekin lirinë e shtetasve”.

Shihni më poshtë dokumentin që fakton kallëzimin penal të bërë ndaj Arta Markut, prej sot kryeprokurore e Republikës së Shqipërisë.