Partia Demokratike, aleatët e saj dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të jenë bashkë në protestat masive që do të organizohen prej janarit të vitit të ardhshëm (2018).
Pas mbledhjes në selinë e PD-së, kryetari Basha bëri publik qëndrimin e opozitës: "Opozita tregoi sot se nuk do të lejojë parlamentarizëm fasadë. Vendimi unamim është nisja e një vale protestash popullore për të ndalur çmendurinë e narkokryeminsitrit që sot është dhe kryeprokuror i vendit".
Deklaratë për mediat e Bashës jashtë Parlamentit
Sot Parlamenti ka konsumuar një puç kushtetues. Edi Rama ka konsumuar dhunimin e Kushtetutës për të mbrojtur Sajmir Tahirin, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, ministrat e tij të korruptuar dhe vetë, veten e tij.
Opozita ka mbajtur qëndrimin e saj. Qytetarët i janë bashkuar, dua t’i përshëndes, i përgëzoj dhe i falënderoj nga zemra. Sot i kemi treguar mbarë vendit dhe gjithë shqiptarëve dhe gjithë faktorit ndërkombëtar, se ne nuk jemi dhe nuk do të bëhemi kurrë fasadë e autokracisë kriminale.
Shpërbërja e krimit në pushtet dhe pushtetit të lidhur me krimin, sapo ka filluar dhe opozita do të vazhdojë me vendosmëri, me besim të madh, këtë rrugë në krye të qytetarëve të bashkuar për demokraci dhe liri.
Fjala e Bashës pranë protestuesve
Askush të mos kujtojë se ne do të rrimë duarkryq e do të pranojmë kokëheshtur puçin kushtetues për llogari të krimit. Do të pranojmë kryeprokurorin e Habiljave, Balilajve, Tahirit, Dakos, do të pranojmë Edi Ramën të sundojë këtë vend për pasurimin e tij, dhe pushtetin e tij, duke shkelur mbi shqiptarët dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.
Në më pak se dy ditë ju iu përgjigjët thirrjes së opozitës dhe unë dua t’ju falënderoj nga zemra për praninë, vendosmërinë, betejën tuaj epike sot.
Me ne janë qindra, mijëra shqiptarë që njësoj si ne, nuk mund të pranojnë kurrë një narkoshtet me një narkokryeministër, me një narkokushtetutë, me një narkokryeprokuror.
Fillimi i lëvisjes sonë për të rikthyer kushtetueshmërinë për reformën e vërtetë në drejtësi, për drejtësinë e pakapur politike, është fillimi i një rruge pa kthim, për përmbysjen e diktaturës së krimit.
Zoti e bekoftë Shqipërinë, Zoti i bekoftë qytetarët e lirë shqiptarë.
Liri demokraci, drejtësi.





