Avokati i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri ka ankimuar në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda vendimin për bllokimin e pasaportës së klientit të tij.
Ka qenë avokati i ish-ministrit, Maks Haxhia, i cili këtë të hënë ka kërkuar nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, që ta shfuqizojë këtë vendim.
Të premten më 15 dhjetor, Tahiri u paraqit në Gjykatën e Krimeve, ku kjo e fundit u njoh me pretendimet e tij pas vendimit për bllokimin e pasaportës. Në seancë, Tahiri dhe avokati i tij kundërshtuan vendimin e dhënë nga gjyqtarja Liliana Baku, pasi sipas tyre, masa për ndalim është e pabazuar, pasi Prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë të re.
Pasi dëgjoi palët, gjyqtarja vendosi të lërë në fuqi masën e ndalimit për ish-ministrin. Tahiri menjëherë pas vendimit deklaroi se “do të flasë shumë shpejt”.





