Media italiane kanë raportuar mbrëmjen e së dielës se Prokuroria e Katanias ka mbyllur dosjen e hetimit të “Habilajve”, të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge.

Sipas “Meridio News”, në mesin e personave të hetuar nuk rezulton emri i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Emri i ish-ministrit ishte lakuar më parë pasi dyshohej se mund të ishte pjesë e kësaj organizate të trafikut të drogës.

Pjesë e dosjes janë 15 persona, më i njohuri ndër ta Moisi Habilaj, jo vetëm sepse akuzohet si kokë e grupit kriminal, por edhe për shkak të lidhjeve familjare me ish-ministrin Tahiri.

“Meridio News” raporton se pjesë e të akuzuarve janë edhe dy shqiptarë të tjerë, Maridian Sulaj dhe Fatmir Minaj, si dhe italianët Antonino Riela, Vincenzo Spampinato dhe Angelo Busacca.

Midis emrave të dokumentit bie në sy mungesa në listë e Florian Habilaj, vëlla i Moisiut. E njëjta gjë vlen edhe për Sabaudian Celaj, Armando Sulaj dhe Seiti Nezari.