Një 32-vjeçar është ekzekutuar me armë zjarri paraditen e së dielës në qytetin e Shkodrës. Angjelin Shkambi u gjet i pajetë në makinën e tij Benz me targa AA 275 BF, rreth orës 11:10, në rrugën që të çon tek varrezat e “Stom Golemit”.

Deri në këto momente mbeten të panjohura rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë, ashtu sikurse autorët e saj. Autoritetet mësohet se kanë gjetur tre gëzhoja pistolete në vendin ku u ekzekutua i riu.

32-vjeçari rezulton person me precedentë penalë në fushën e narkotikëve. Dyshimet e para janë se autori mund të ketë qenë brenda në automjetin ku ndodhej viktima.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, ndërsa policia ka ngritur pika kontrolli dhe po bën krehjen e zonës me qëllim kapjen e autorëve. Në mbështetje të tyre kanë shkuar edhe grupe të Ndërhyrjes së Shpejtë.