Bashkia Durrës, së bashku me 11 Bashki të tjera të Shqipërisë është pjesë e Programit Rajonal mbi Demokracinë Vendore në Ballkanin Perëndimor ReLOaD, i cili financohet nga Bashkimi Evropian nga Instrumentet e Asistencës së Paraantarësimit ( IPA), koordinohet nga Programi për Zhvillim i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (PNUD) dhe zbatohet nga Bashkia.
Zbatimi i ReLOaD, ka nisur më datë 1 nëntor 2017, me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Kryetarit të Bashkisë, Vangjush Dako dhe Drejtoreshës së PNUD-it, në të cilin janë përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e palëve respektive.
Objektivi i përgjithshëm i ReLOaD është të forcojë demokracinë pjesëmarrëse dhe proçesin e integrimit evropian, nëpërmjet fuqizimit të shoqërisë civile, duke mundësuar pjesëmarrjen e saj aktive në vendimmarrje si dhe nxitjen dhe krijimin e një mjedisi ligjor dhe financiar inkurajues për shoqërinë civile.
Në kuadër të këtij Programi, Bashkia Durrës në bashkëpunim me PNUD do të shpallë tre thirrje publike, për periudhën 2018-2020. Për këtë qëllim më datë 13 dhjetor 2017, në Sallën e Këshillit Bashkia, Durrës, u organizua takimi i parë konsultativ, ku ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë dhe të PNUD-it, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile si "CSDC", "Word Vision", Shoqata e Para-tetraplegjikëve, Qendra për Zhvillim Komunitar "Sot për të ardhmen", "Shoqata e grave me probleme Sociale" dhe përfaqësues nga shumë organizita të tjera lokale aktive në qytetin e Durrësit.
Në fillim të takimit të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile bënë një prezantim të shkurtër të fushës së veprimtarisë së organizatave duke u ndalur edhe në eksperiencat e tyre të bashkëpunimit me pushtetin vendor. Më pas, gjatë takimit përfaqësuesja e PNUD-it, bëri një prezantim të objektivave të projektit ReLOaD, për t’ia lënë fjalën përfaqësueses së Bashkisë e cila theksoi dhe nje herë rëndësinë e forcimit të kapaciteteve të Bashkisë duke plotësuar nevojat e komunitetit në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile. Më tej, takimi vazhdoi me diskutimin ndërmjet pjesëmarrësve, me qëllim përcaktimin e prioriteteve për thirrjen e parë, e cila do të bëhet në janar 2018.
Në fund të takimit, të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile zgjodhën me votim të hapur prioritetet për thirrjen e parë si dhe përfaqësuesin nga rradha e tyre që do të jetë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Projekteve për këtë thirrje.





