Paraditen e sotme, Partia Demokratike njoftoi se kreu i saj Lulzim Basha ndodhet në Londër me ftesë të Partisë Konservatore Britanike të Kryeministres Theresa May. Sipas PD-së, “Basha do të marrë pjesë në konferencën e organizuar nga Konservatorët britanikë mbi Sfidat në Ballkanin Perëndimor si dhe do të zhvillojë takime me parlamentarë, drejtues dhe zyrtarë të lartë të Qeverisë Britanike. Vizita e zotit Basha dhe drejtuesve të tjerë politike nga Ballkani Perëndimor në Londër vjen disa muaj para se Qeveria Britanike të mirpresë takimin vjetor të Procesit të Berlinit i cili këtë vit do të zhvillohet në Londër”.
Por Taulant Balla hodhi dyshime në parlament, se Lulzim Basha ka devijuar për në Edinburg në Skoci.
“Basha është në Edinburg, në vendin ku është bërë pagesa e 675 mijë dollarëve. Në Edinburg, në vendin ku kompania që pagoi 675 mijë euro për lobim në SHBA, ka rezidencën e vet. Pse iku Lulzimi në Edinburg? Nuk kemi rezultate nga prokuroria, por nuk ka nevojë për fakte që Luli është gënjeshtar dhe siç ka thënë zonja Jozefinë, “Luli të rren edhe kur thotë sa është ora”.
KQZ thotë që këto pagesa nuk rezultojnë të paguara. Ku është Lulzimi? PD ka paguar në total 875 dollarë lobingun, se lobing kanë bërë të gjithë ku 20 ku 10 mijë, por 875 mijë nga të cilat 675 janë paguar nga një kompani guaskë në Edinburg, atje ku është Basha sot. I rrëshqiti Berisha sot, por përmendi offshore. PD duhet të bëjë transparencë për këtë transaksion që ka nisur hetimet edhe në SHBA”, tha Taulant Balla nga foltorja e parlamentit.
Më pas deklaratat e Ballës u përgënjeshtruan nga Edi Paloka.
“Kam këtu ftesën e Partive Konservatore. Basha është në konferencën e partive konservatore në Londër. Jo se nuk e dini sa ordiner është zotëria, por përpiqen të hedhin shashka dhe bomba tymuese për të mbuluar 20 milionë eurot e Habilajve”, tha Paloka.





