"8 dhjetori i vitit 90’ do të mbahet mend si shkëndija e parë në qiellin e errësuar të shoqërisë shqiptare".

Është ky përcaktimi që ka bërë kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi në rrjetin social, teksa është shprehur se 27 vjet më vonë, sërish sytë e të gjithë shqiptarëve janë drejt të rinjve.

Kryemadhi shton se frymëzimi për të punuar dhe jetuar demokracinë dhe lirinë që meriton Shqipëria gjendet vetëm tek të rinjtë shqiptarë.

Postimi i Monika Kryemadhit:

8 Dhjetori është një ditë e madhe! 

Data 8 Dhjetor ishte shkëndija e parë në qiellin e errësuar të shoqërisë shqiptare. 

Ishin të rinjtë ata të cilët me fuqinë e ëndrrave të tyre, nën thirrjet “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, besuan dhe mundën të thyenin vargonjtë e frikës për të jetuar në një Shqipëri të lirë. 

Sot sytë dhe zemra përsëri janë te të rinjtë!

Tek ata kërkojmë frymëzimin për të punuar e jetuar demokracinë dhe lirinë e ëndërruar në tokën amë!