Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u ka kërkuar 7 mjekëve të dorëhequr të Urgjencës së QSUT që të rishikojnë vendimin e tyre.

Në një postim në Facebook, Basha shkruan se dorëheqja e mjekëve është akt i paprecedentë që vjen për shkak të mungesës së kushteve në punë.

Dhe për këtë situatë, Basha akuzon kryeministrin Edi Rama. Kreu i PD thotë se Kryeministri duhet të anulojë 4 koncesionet korruptive në shëndetësi për të siguruar 400 milionë Euro investime në këtë fushë.

“Dorëheqja e mjekëve të Urgjencës është akt i paprecedentë, që pason eksodin në këto 4 vite të qindra mjekëve të tjerë, dhe tregon gjendjen e mjerueshme të shëndetësisë. Arsyeja e dorëheqjes për shkak të mungesës së kushteve minimale të punës është dëshmia më e dhimbshme e dështimit te eksperimentit fatal të Edi Ramës me 'shëndetësinë falas'. Në emër të misionit të tyre human, u kërkoj mjekëve të rishikojnë vendimin e tyre, të mos e braktisin Urgjencën, sepse qytetarët kanë nevojë për ta!

I bëj thirrje Edi Ramës të reagojë menjëherë për t’u siguruar mjekëve të urgjencës kushte normale pune! Nga këto kushte varet jeta dhe shëndeti i qytetarëve shqiptarë. Mjafton që Rama të anullojë 4 koncesionet korruptive në shëndetësi për të siguruar 400 milionë euro investime jetike për sistemin shëndetësor në kolaps”, shkruan Lulzim Basha në Facebook.