Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave është mbledhur sonte në drejtimin e Kryeministrit Edi Rama. Të gjithë ministrat kanë folur për gjendjen në vend nga përmbytjet, duke dhënë informacione për çfarë është bërë dhe masat e marra.

Ndërkohë që nuk ka munguar edhe një përgjigje e kryeministrit Edi Rama në lidhje me akuzat për përmbytjen e autostradës nga mbjellja e palmave që bllokoi kanalizimet. Rama i quajti qesharake këto akuza duke shtuar se Liqeni i Kasharit, për të cilin u tha se u hapën digat, është ende 3 metër nën kuotë.

“Pa i hequr asnjë presje asaj që kam thënë, falënderimit për kreun e PD-së për mirëkuptimin që tregoi ditën e mbrëmshme duke ndërprerë diskutimet e kërkuara nga PD për të na dhënë mundësinë të jemi të angazhuar në punë dhe për sot. Nuk kanë munguar zërat e cinizmit për atë që ndodhi në autostradë duke ia vënë fajin palmave. Është qesharake. U hap Bovilla apo Liqeni i Kasharit që akoma është 3 metër nën kuotë. Aty është ndërhyrë drejtpërdrejt në rrjetin e shkarkimeve. Kjo është e qartë. Duhet t’i shkojmë deri në fund ndjekjes penale. Ju kërkoj ndjesë qytetarëve që janë gjendur në atë befasi. ” tha Rama.