Prefekti i Durrësit Roland Nasto ka mbledhur shtabin e emergjencave në prefekturë ditën e sotme pas nisjes së përmbytjeve të banesave dhe të tokave bujqësore.
Nasto tha se gjendja pritet te përkeqësohet për shkak të reshjeve, që do ta shtojnë intensitetin në orët në vazhdim. Qëllimi kryesor është që të mos kemi humbje në jetë njerëzore, prandaj duhen marrë masa për përballimin e situatës, ishte apeli që lëshoi në drejtim të krerëve të bashkisë së Durrësit, Shijakut e Krujës.
Sipas raportimeve të fundit, në shtabin e emergjencës zona më problematike aktualisht eshtë ajo e Fushë-Krujës. Dalja nga shtrati e lumit Zezë, ka rrezikuar 200 familje të tre fshatrave përreth, ndërsa 7 familje janë evakuuar nga banesat e tyre.
Ndërkohë stacioni i ujësjellësit, në afërsi të urës së Gjolës është përmbytur duke krijuar probleme për furnizimin me ujë të pijshëm në Shijak, Xhafzotaj, Gjepalaj, Maminas.
Dalja e lumit Erzen nga shtrati ka përmbytur lagjen Erzen. Aktualisht numri i familjeve të dëmtuara është paraprakisht 15.
Edhe në lagjen 13 në Plazh për shkak të situatës së krijuar është stakuar furnizimi me energji elektrike dhe për pasojë janë stakuar pompat, duke krijuar probleme për largimin e ujit.
Në terren në zonat problematike të ish-Kënetës, Plazhit, Shijakut e ku ka zona të përmbytura kanë dalë grupet e njësive vendore për monitorimin e situatës.





