Në Bashkimin Europian po diskutohet shumë për një herbicid, që thuhet se shkakton kancer. Bëhet fjalë për glifosatin, një substancë që përdoret për të eliminuar bimësinë e panevojshme, e cila përdoret gjerësisht në bujqësi.
Por çfarë e ka shkaktuar këtë ‘tërmet’ në BE?
Të hënën, Bashkimi Europian ka votuar për të lejuar përdorimin e këtij herbicidi edhe për pesë vite. Votimi erdhi mes debateve të forta në Francë dhe Gjermani.
Por teksa Franca po bëhej gati për ndalimin e kësaj substance, ministri gjerman i Bujqësisë, Christian Schmidt ka votuar pro, duke ndryshuar balancën dhe duke sjellë shumë zemërim në vendin e tij.
Këtë të mërkurë Bild raportoi se Schmidt është kërcënuar me jetë për këtë vendim.
Por çfarë është glifosati?
Bëhet fjalë për një helm bimor, mjaft kontrovers. Disa ekspertë thonë se shkakton kancer. Të tjerët shprehen se substanca ka pasoja negative për florën dhe faunën. Ky herbicid përdoret gjerësisht në bujqësi për të arritur rendimente të larta të kulturave.
Për shkak se është kaq i përdorur, ai gjendet edhe në ushqime, madje jo vetëm në ushqimet që vijnë direkt nga fusha. Ekspertët thonë se gjendet edhe në mish. Edhe në produke të tilla si birra gjenden gjurmë të kësaj substance.
Glifosati përdoret edhe në parqe apo në kopshte private. Në total shiten 850 mijë tonë. Substanca prodhohet nga gjigandi amerikan Monsanto, që së fundmi kërkon të blejë kompaninë e njohur gjermane, Bayer.