Në kuadër të ditës kombëtare “Të pastrojmë Shqipërinë që duam”, edhe Durrësi, si një nga zonat më të rëndësishme turistike, iu bashkua nismës së ndërmarrë nga vullnetarët dhe Ministria e Mjedisit dhe e Turizmit.

Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako, përshëndeti nga afër vullnetarët që kishin dalë për pastrimin e vendgrumbullimeve ilegale të mbetjeve pranë Urës së Dajlanit, si një nga pikat më të nxehta të hedhjes së mbeturinave nga ana e qytetarëve.

Dako tha se është bërë një plan pune dhe aksioni është përqendruar në 4 pika kryesore të qytetit.

Aksioni do të vazhdojë gjithashtu edhe në ditët e ardhshme në mënyrë që të jemi të përgatitur që sezoni i ardhshëm turistik ta gjejë Durrësin sa më të pastër”, deklaroi Dako, i cili shtoi se në 2018-n do të kemi një sezon më të zgjatur se sa vitet e tjera, pasi rezervimi i turistëve të huaj në hotelet e bregdetit nis që me muajin qershor.

Por nuk mjafton vetëm një ditë për ta pastruar dhe mbajtur pastër vendin, pasi kontributi duhet të jetë i përhershëm dhe nga ana e gjithësecilit. Kryetari i bashkisë iu drejtoi një mesazh të gjithë qytetarëve duke i nxitur që të mos mbeten tek aksioni i sotëm një ditor. “Të jemi të gjithë pjesëmarrës aktivë për të mbajtur pastër territorin dhe për të dhënë një kontribut të madh, sepse nuk mund t’ia dalim dot vetëm pasi duhen shumë fonde”, tha ai.

S.L.