Pranë gjirit të vogël të Currilave në afërsi të ish-repartit ushtarak, subjekte të paidentifikuar po mbushin tokën me dhera që shkarkohen nga kamionë të ndryshëm gjatë natës.

Një banor i zonës ka denoncuar në media problematikën e krijuar për të cilën deri tani nuk është marrë asnjë masë nga autoritet vendore.

Dashnor Meçani një banor i zonës deklaroi se gjatë natës nga një pallat që po ndërtohet po merret sasia e dherave e po depozitohet në zonën e Kallmit.

Banori thotë se është bërë denoncim dy ditë më parë tek inspektori i policisë së zonës por deri tani nuk është marrë asnjë masë konkrete.

Bregdeti i Kallmit në Durrës është i vetmi që ka mbetur pa u prekur nga dora e njeriut. Për vetë faktin se rruga në këtë zonë ka qënë ajo e para viteve ‘90, zona është mbrojtur mirë nga ndërtimet pa leje.

Por sasia e dherave e depozituar gjatë ditëve të fundit tregon se edhe në këtë zonë të parashikuar për turizëm elitar, dora e njeriut ka nisur të shkatërrojë natyrën.

K.H.