Për 100 të rinj me aftësi të kufizuara në Durrës, të moshës 19-34 vjeç, së shpejti nis projekti “Aftësia e kufizuar nuk është paaftësi. Zhvillimi ekonomik përfshirës”, një nismë kjo e ndërmarrë nga Organizata CoDe Albania – (Coherent Development Albania).
Projekti synon të mbështesë fuqizimin social ekonomik të këtyre të rinjve përmes zhvillimit të kapaciteteve në programin mbi aftësitë e jetës dhe këshillimin, si dhe ndërtimit të platformës mbi përshtatshmërinë dhe akomodimin e arsyeshëm në vendin e punës.
Në prezantimin e projektit që u mbajt në klubin e artit dhe të kulturës “Sigal”, të pranishëm ishin drejtues të lartë të institucioneve vendore, përfaqësues të shoqatës të Para-Tetraplegjikëve, si dhe aktivistë të shoqërisë civile.
Sipas menaxheres së këtij projekti, Elona Memetaj, do t’u jepet një mundësi mbi njohjen e programit mbi aftësitë e jetës si dhe zhvillimi i një platforme lokale në arritjen e të paktën 160 bizneseve me potenciale reale për punësimin e të rinjve me aftësi të kufizuara. Arsyeja madhore e sjelljes së këtij projekti të rëndësishëm, është mungesa e theksuar e punëkërkuesve me aftësi të kufizuara në Durrës.
Flamur Bala, person me aftësi të kufizuara dhe aktivist i shoqërisë civile, vë theksin te krijimi i kushteve të përshtatshme për lëvizshmërinë e këtyre personave në qytet e në çdo institucion vendor.
S.L.





