Kryeministri Edi Rama po zhvillon një takim me reformatorët e Akademisë së Shkencave.
Në fjalën shefi i qeverisë tha se ky institucion është kufoma e vetëvetes që nuk reflekton as vizionin e etërve që e themeluan.
"Unë kam kërkuar reformimin e ASH si një proces që në këndvështrimin tim duhet të vinte në udhën e një reflektimi brenda jush, brenda gjithë trupës së përfshirë në këtë institucion me propzime konkrete mbi të cilat pastaj ne do të mund të zhvillonim një diskutim të përbashkët për një sintezë të arsyeshme në funksion të transformimit të domosdoshëm të këtij institucioni në diçka tjetër.
E vërteta është që pavarësisht ftesës dhe përpjekjes sonë, ne nuk patëm asnjë reagim që të na nxiste në këtë proces dhe që të na përfshinte në këtë proces ku humbëm, humbët më shumë se një vit, në një inerci që është inercia e kalbëzimit të vazhdueshëm të një institucioni që dikur u krijua si xhevahiri më rezatues i kurorës së dijes shqiptare dhe sot është burim pezmatimi permanent për të mos thënë brengë për të gjithë ata që e themeluan ASH dhe i dhanë asaj shkëlqimin e autoritetit të tyre.
Kjo situatë na ka shtyrë të çojmë përpara idenë e refuzimit për ta finacuar më tutje këtë institucion me paratë e taksapaguesve dhe sic e kam thënë në diskutimin që kemi pasur më parë, e vëreteta është që ASH sot është kufoma e vetëvetes, ajo nuk reflekton as vizionin e etërve themelues dhe më vjen mirë që kam përballë një ndër studiuesit më të nderuar Luan Omarin, i cili është edhe një dëshmitar i gjithë rrugëtimit të këtij institucioni dhe rrënimit të këtij institucionit. ASH nuk ka arritur të reflektojë në asgjë ndryshimet që kanë ndodhur dhe transformimin epokal të botës shqiptare nga një botë e mbyllur dhe e centralizuar në një botë që është shumë më e madhe se kufijtë e Shqipërisë sot"./ON





