Deputeti i Partisë Demokratike për Durrësin Edi Paloka, thotë që shumë shpejt do të hapet dhe një dosje tjetër për Edvin Ramën, ajo e kryebashkiakut durrsak Vangjush Dako.
Pas akuzave që ngriti dje lideri demokrat Basha në adresë të Dakos për bashkëpunim me bandat në Durrës, Paloka thotë që “në fakt Gjushi, ashtu si shefi i tij, është i keqpërdorur, madje shpesh dhe i keqtrajtuar nga bandat”.
Sipas demokratit, “për Ramën kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka që kur vijnë zgjedhjet, bandat t’i çojnë votat Gjushit dhe Ramës. Kaq iu duhet, pastaj këta që rrinë si të menderosur përpara kriminelëve ordinerë, fryhen si gjela ndaj opozitës”.
“Do t’i shohim shpejt kur t’iu kenë rënë të gjitha puplat se çfarë soj trimash janë…”, paralajmëron Paloka, teksa publikon edhe këtë foto në “Facebook”.
Më pas, Paloka doli në një deklaratë për mediat, dhe u shpreh se në Durrës politika dhe krimi janë bërë një dhe këtë model Edi Rama e ka ngritur kudo njësoj: në Durrës, Elbasan, Tiranë.
“Formula është “përdor krimin dhe paratë për të marrë zgjedhjet. Më pas, me pushtetin e fituar pasurohu për vete pasuro dhe krimin”.
Modeli dhe formula provohen nga përgjimi që disponon Prokuroria e Krimeve të Rënda, ku Vangjush Dako është regjistruar gjatë zgjedhjeve, duke u premtuar tendera kriminelëve më të rrezikshëm të Durrësit në këmbim të blerjes së votave.
Por Edi Rama dhe Vangjush Dako nuk u japin asnjë shpjegim shqiptarëve. Qëllimi i tyre është të heshtin derisa të kapin plotësisht Prokurorinë.
Marrja nën kontroll e prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë e bën Vangjush Dakon të ndjehet i paprekshëm. Edi Rama po e trajton Kryetarin e Bashkisë së Durrësit njësoj si Saimir Tahirin. Po i jep mbrojtje politike nga drejtësia, sepse gjithçka dhe të gjithë lidhen me Edi Ramën.
Me Edi Ramën lidhet krimi nëpërmjet Saimir Tahirit, Qazim Sejdinit, Vangjush Dakos, Agron Xhafajt. Drejtësia do të jetë e pafuqishme ndaj tyre derisa në krye të qeverisë të jetë Edi Rama. Vetëm me largimin e Edi Ramës do të ketë garanci për luftën kundër krimit të organizuar.”





