Gjatë ditës së sotme, në një deklaratë për shtyp, kreu i demokratëve Lulzim Basha, akuzoi kryebashkiakun Vangjush Dako se është kapur ‘gafil’ nga ndërkombëtarët duke blerë votat.

Pak minuta më parë ka ardhur edhe reagimi i Dakos, i cili, përmes një statusi në Facebook, i bën një ftesë Bashës për t'u ballafaquar në studio televizive a shesh publik për akuzat e ngritura ndaj tij.

Sipas Dakos, në gropën që PD dhe Basha është munduar të hapë për të ka rënë përherë e më poshtë, pasi Durrësin e kanë humbur thellë e më thellë.  

Reagimi i plotë i Vangjush Dakos

Me Lulzim Bashën jam i gatshëm të ballafaqohem në cdo studio apo shesh publik, për të gjitha ato që ai dhe altoparlantët e tij bërtasin për mua prej vitesh tashmë! 
E vetmja gjë qe nuk bëj dot për Lulzimin dhe partinë e tij është të fitojnë Durrësin, të cilin e kanë humbur thellë dhe më thellë, duke rënë poshtë dhe më poshtë në gropën që janë munduar të më hapin mua. 
Gjithë të tjerat me kete lloj soji janë humbje kohe. Keqardhje për gjithë ata që dëgjojnë akoma Lulin dhe këtë opozitë pulash të lagura që bëjnë sikur janë ujq të tërbuar.

Çfarë tha Basha për Dakon

“Vangjush Dako është kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me grupet kriminale më të rrezikshme të Durrësit, të cilëve u kërkon të vjedhin dhe blejnë votat në zgjedhjet e 25 qershorit 2017. Shërbimet Inteligjente duke përfshirë ato të vendeve partnere e kanë kapur gafil Vangjush Dakon duke bërë pazare në telefon. Në këmbim të blerjes së votave dhe dhunimit të qytetarëve, Dako u premton kriminelëve  tendera. Janë miliona euro që Dako u ka premtuar kriminelëve vetëm që ata të siguronin vota dhe pushtet për PS”.