Nazire, është një vajzë 19-vjeçare nga Kavaja e cila studion për juridik në Universitetin e Durrësit. Ajo i është drejtuar rubrikës “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare” në Tv Klan për të bindur babain e saj që të kurojë semundjen e diabetit.
I ati i saj është mësues dhe prej katër vitesh kanë zbuluar se vuan nga sheqeri i lartë në gjak, por refuzon që të mjekohet.
Vajza: Historia ime është sepse kam ardhur për shokun tim më të mirë këtu, për atë që më ka mësuar dhe abetaren, mbështetësin tim më të mirë, babi im është. Historia e tij është që ka qenë mirë deri në kohën që unë mbusha 16-17 vjeç që nuk i kuptoja dhe shumë mirë gjërat, por rastis që vjen dhe xhaxhai im, se ne në fakt jemi familje e madhe. Kemi dy motra, dy vëllezër dhe unë jam më e vogla. Vjen xhaxhai nga Italia dhe ai vuan nga një sëmundje, sëmundja e diabetit.
Ardit Gjebrea: Kush vuan nga diabeti?
Vajza: Xhaxhai im. Në bisedë e sipër në shtëpinë tonë ai po tregonte për efektet anësore të sëmundjes sepse do kurim dhe ai ka shumë vite që kurohet dhe babi im i thotë që shiko se kam dhe unë të tilla efekte, dhimbje koke, këto të diabetit. E masim njëherë i thotë xhaxhi. Po patjetër. Dhe rezultoi që sasia e sheqerit në gjak ishte shumë e lartë. Edhe pasi mësoi historinë, gjëja e keqe ishte sepse babi im nuk u interesua më, thjesht vazhdoi rutinën, vazhdoi jetën e përditshme pa marrë parasysh se efektet e asaj sëmundje do ishin më të mëdha në të ardhmen. Në rregull, të gjithë familja insistonim vazhdimisht që shiko se duhet të vizitohesh.
Ardit Gjebrea: Sa kohë ka kaluar që nga ky moment?
Vajza: Katër vite të plota. Para një viti, vëllai im e merr babin dhe mamin me pretekstin për pushime në Itali. Por në fakt ai donte që të bënte kontrollet e domosdoshme. Shkon në Itali për më shumë se 3 javë dhe edhe pse insistimi i vëllait ishte shumë i madh, ai prapë nuk pranon. Kthehet, jeta vazhdon, ai vazhdon punën. Babi im është mësues, matematik-fizikë jep në shkollën “Bagot” të qytetit tonë në 9-vjeçare. Vazhdon punën dhe në fakt këto efektet vazhdonin dhe më tej shtoheshin, jo dhimbje të forta, pakujdesia bënte të vetën sepse kur isha unë në shtëpi kujdesesha shumë për të se duke u rritur e kuptoja. Klikoja dhe në internet, merrja të dhëna për këtë sëmundje dhe i thoja që kujdesu, mos ha këtë, mos ha yndyrna. Ai e gjente gjithmonë mënyrën dhe kohën për ta bërë. Kur ishte në shkollë hante gjithmonë ushqime që janë të dëmshme.
Ardit Gjebrea: Cili ishte reagimi i babit?
Vajza: I thoja ‘babi shiko sepse ti duhet të kujdesesh, ti e di se sa i rëndësishëm je për ne dhe mos ha të tilla gjëra’. ‘Nuk më gjen gjë, unë jam kockë e fortë’, thotë ai gjithmonë. Por në fakt shëndeti është shumë i rëndësishëm dhe të mund në çfarëdo lloj rasti sado që e ndjen veten mirë ti, ai përbrenda vazhdon dhe aktivizohet çdo ditë e më tepër.
Ardit Gjebrea: Si e ka mundur kjo sëmundje babin deri tani nga ato çfarë keni vërë re ju?
Vajza: Një ditë ai vjen nga puna. Dy krizat e para i ka pësuar me mamin kur s’kam qenë unë, që ka ngrënë ushqim dhe më pas është ngritur dhe është ulur dhe ka thënë shiko se s’po ngrihem dot më, më dridhet komplet trupi. Dhe unë nuk kam qenë prezente. Herën e fundit ai erdhi nga puna, ndërkohë unë po i gatuaja ushqimin në kuzhinë, dhe shikoj babin po merrte në telefon. Ishte te dhoma e ndenjies. Thashë babi?! Dhe po qeshja sepse ne kemi lidhje shumë të veçantë me njëri-tjetrin si prind-fëmijë. Dhe kthehem thashë ‘babi ç’a ke që më merr në telefon’? Kur shikoj ishte i shtrirë në tokë përmbys dhe ishte një dhimbje shumë e madhe për mua, sepse personi që unë doja më shumë që është i forti nga të gjithë, e pashë të shtrirë ashtu. E ndihmoj të ngrihet, i them ‘është hera e fundit që ti rri në shtëpi dhe pëson të tilla kriza. Duhet të shkosh të bësh të gjitha kontrollet e nevojshme, të marrësh mjekimet’. I them nëse ti do që unë të lë shkollën, sepse vet kjo sëmundje të kap ndonjëherë aq fortë saqë mund të ndodhë dhe ndonjë gjë larg qoftë…dhe sigurisht jeta është e tillë dhe duhet t’i pranojmë, por dhe duhet të kujdesemi për veten tonë. Dhe këtë gjë jam them gjithmonë babit, ai i di, dhe prandaj më vjen inat sepse i anashkalon gjithmonë.
Ardit Gjebrea: Babi nuk shkon të vizitohet dhe të bëjë analizat. Për cilin motiv? Për motiv ekonomik?
Vajza: Jo. Motivi ekonomik nuk është aspak, sepse ai sido që të jetë e ka rrogën e tij.
Ardit Gjebrea: Atëherë çfarë mund të jetë sipas teje?
Vajza: Se di, ndoshta frika se çfarë mund t’i thonë.
Ardit Gjebrea: Ka frikë se mos i del ndonjë diagnozë që atij nuk do t’i pëlqejë?
Vajza: Po, që nuk do t’i pëlqejë ose do ta trembë. E ka gjithmonë këtë frikën se çfarë rezultati do të dalë.
Ardit Gjebrea: Cila është frika jote sot?
Vajza: Frika ime më e madhe është…unë tani jam detyruar të transferohem, jetoj në Durrës me qira sepse jam në universitet dhe ai është larg syve të mi. Dhe kam shumë frikë se një ditë do bjerë telefoni dhe do më thonë që i ka ndodhur diçka babit.
Ardit Gjebrea: Dhe ti do që ta parandalosh. Babi nuk merr asnjë mjekim?
Vajza: Jo nuk merr asnjë mjekim.
Ardit Gjebrea: Fare?
Vajza: Jo.
Ardit Gjebrea: Tani, ne kemi një mikeshë e cila qëndron prapa këtij muri dhe që të shohim nëse ti do ta njohësh se kush është apo jo. Je gati ta shikosh?
Vajza: Po patjetër!
Ardit Gjebreda: Shikoje, përpara ekranit e ke.
Vajza: Përshëndetje! Doktoreshë te spitali Hygeia.
Ardit Gjebrea: Doktoreshë Blertina është një mjeke fantastike, endekrinologe dhe tani dua të pyes pak doktoreshë Blertinën. E dëgjuat këtë histori doktoreshë?
Doktoresha: Po e dëgjova. Në fakt është një histori që ne e gjejmë në të përditshmen tonë tek personat të cilët kanë diagnostikuar diabetin apo që kanë kohë që e kanë diagnostikuar apo në persona të tjerë që sapo e zbulojnë dhe që ndonjëherë e përdorin me mburrje duke thënë s’kam bërë asnjëherë analiza në jetën time, nuk kam shkuar asnjëherë tek mjeku, kam qenë mirë. Në fakt unë bashkë me kolegët e mi në spital shohim shpeshherë raste të diabetit të cilat i diagnostikojmë në momentin që janë në fazë të komplikacioneve sepse bëhet fjalë për një sëmundje e cila dëmton në heshtje organet dhe jo domosdoshmërisht njeriu e di çfarë dëmtimesh ka shkaktuar qoftë edhe në momentin që e ka diagnostikuar si sëmundje.
Ardit Gjebrea: Në rastin që kanë kaluar 4 vite.
Doktoresha: Katër vite, por është 4 vite në momentin që është vendosur diagnoza, ndërkohë diabeti ka dhe fazën e vet para vendosjes së diagnozës që dhe kjo shkon ndonjëherë me vite dhe sigurisht për ne është e rëndësishme në momentin që të vendosim diagnozën të vlerësojmë dhe a ka apo jo komplikacione dhe ndërkohë të fillojmë terapitë për t’i paraprirë komplikacioneve që s’kanë ndodhur apo për të rregulluar ato komplikacione që tashmë kanë ndodhur.
Ardit Gjebrea: Cilat janë komplikacionet që mund të ndodhin nga kjo sëmundje?
Doktoresha: Bëhet fjalë për që përgjithësisht rezultati i nivelit të lartë të sheqerit në gjak dëmton qoftë enët e vogla të gjakut, qoftë enët e mëdhaja të gjakut. Kudo ku shkon niveli i lartë i glukozës dëmton dëmton organe. Ne të prekshme si komplikacione i kemi te sytë, është një nga sëmundjet që bën dëmtim të retinës së syrit, te zemra është një nga shkaqet që në kardiologji shpesh qëllon që gjysma e pacientëve mund të jenë me diabet pësojnë më shumë atake kardiake, infarkte të zemrës; tek veshkat është një nga shkaqet që personat humbin funksionin e veshkës, kalojnë dhe shkojnë deri në stade të dializës apo prekje të këmbëve duke dhënë dëmtime të enëve të gjakut apo të nervave që shkaktojnë deri dhe në amputacione të këmbëve duke ndryshuar edhe cilësinë e jetës së njerëzve.
Ardit Gjebrea: Amputacioni është prerja?
Doktoresha: Është prerja.
Ardit Gjebrea: Çfarë ka shprehur babi ndonjë nga këto shqetësime që tha doktoresha?
Vajza: Ka matur tensionin kur ka shkuar për të bërë check up dhe i kanë thënë që e ke shumë të lartë. Plus ka shtrëngime të forta në kokë, dridhje trupi dhe nuk ecën dot. Duhet të rrijë vetëm i shtrirë kur i dhemb koka.
Ardit Gjebrea: Çfarë duhet të bëjë në këtë rast pacienti?
Doktoresha: Në rradhë të parë fillon nga një konsultë mjekësore. Mjeku vlerëson dhe orientohet drejt komplikacioneve të mundshme që kapen nga ana klinike. Në rradhë të dytë bëhet një bilanc i analizave kur ne kontrollojmë organet dhe në rradhë të tretë bëhen edhe ekzaminime shtesë për të ditur që ku është gjendja e organizmit tonë duke i marrë të gjitha organet e prekshme në komplikacione dhe duke i vlerësuar ku janë. Pastaj në varësi të stadit të komplikacionit bëhet edhe trajtimi specifik. Ndërkohë duke mjekuar pa diskutim edhe nivelin e lartë të sheqerit në gjak. Arsyeja pse jam këtu është bashkë me ju të bindim babin që njeriu ka nevojë për të pasur ndjekje në mënyrë të tillë që të ketë jo vetëm jetëgjatësi sa më të gjatë, por edhe një cilësi jete sa më të mirë. Janë të dyja bashkë që ne të vazhdojmë të ecim para.
Ardit Gjebrea: E pranon aleate doktoreshë Blertinën?
Vajza: Sigurisht, me kënaqësi.
Ardit Gjebrea: Atëherë do t’iu lutesha doktoreshë të akomodoheshit pranë vajzës.
Ardit Gjebrea: Ka ardhur momenti të ndjekim profesor Metin. Të shohim se kur dhe ku i kemi dërguar mesazhin bashkë.
Stafi i “E Diela Shqiptare” shkoi në Kavajë dhe takoi profesor Urmetin, të cilin e informoi se është i ftuar në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, i cili pranoi me kënaqësi të ishte në studio.
Ardit Gjebrea: Mirë se na erdhët në studio.
Profesori: Mirë se ju gjetëm dhe urime për emisionin.
Ardit Gjebrea: Si nxënës si keni qenë?
Profesori: Kam qenë nxënës i shkëlqyer.
Ardit Gjebrea: E dëgjonit profesorin dhe mësueset tuaja?
Profesori: Patjetër!
Ardit Gjebrea: Sot kush ka ardhur këtu?
Profesori: Po tani është diçka e veçantë. Unë jam një prind me pesë fëmijë dhe ka pasur një diçka të veçantë se të katërt i kam pasur nxënës.
Ardit Gjebrea: Ku i keni fëmijët profesor?
Profesori: Katër i kam në Itali, janë të martuar me familje dhe kam një vajzë këtu në për drejtësi në vitin e dytë në Universitetin e Durrësit. Gjithmonë më shkon mendja te kjo e vogla, sepse kam qenë më i përkushtuar pas kësaj vajzës së vogël.
Ardit Gjebrea: Të shohim kush është dhe më pas nëse do të zgjidhim ekuacionin e jetës.
Vajza: Ti e di që je dhurata ime më e bukur që më ka dhënë Perëndia. Prindi im më i mirë dhe nuk kam nevojë që unë…sepse është një shprehje, ne prindërit nuk i zgjedhim nëse nuk i kemi të mirë. Por mund të zgjedhim të bëhemi prindër të mirë. Unë të kam ty më të mirin dhe shembullin e kam në shtëpi çdo ditë. Ashtu siç më ke mësuar të shkruaj shkronjat, të eci, të mos rrëzohem. Kemi kaluar shumë vështirësi bashkë ashtu si çdo familje, duhet të dish që mua do më kesh në krahë për çdo gjë dhe ashtu sikurse ti dua të jesh i shëndetshëm për të qenë në krahun tim sepse unë dua të eci shumë përpara. Ti e di, dua të bëhem dikush dhe dua të jetë babi im aty për të më parë dhe për t’u bërë krenar për mua. Është gjëja e parë që unë i lutem Zotit, të bëj krenar prindërit e mi dhe nuk dua asgjë tjetër sepse jetën time do e ndërtoj ashtu si të më vijë. Dua vetëm ai të jetë mirë. Dhe ti e di se dy herët e para nuk kam qenë aty kur ke pasur ato krizat me sëmundjen e diabetit dhe herën e tretë ti e di shumë mirë që isha aty. Të pashë të zverdhur, ndërkohë unë ty të shtrëngoja por edhe qaja njëkohësisht sepse babi im më i fortë ishte i sëmurë. Ti e di babi që ne të dy jemi dy shokët më të mirë dhe shokët e ndihmojnë njëri-tjetrin. Prandaj nuk dua të më lësh për asnjë lloj arsye në baltë. Ti ke rritur pesë fëmijë, ne të duam të pestë, duam që të jesh i shëndetshëm, i mirë dhe krenar për ne. Unë tani dua të premtosh që sot e tutje do fillosh mjekimet për veten tënde, do marrësh kurën e posaçme në mënyrën më të duhur, korrekte pa e anashkaluar dhe të shërohesh plotësisht, ashtu siç dukesh i fortë në pamje dua të jesh dhe përbrenda, dhe në trup dhe në shëndet. Për të qenë gjithmonë me mua dhe me ne.
Ardit Gjebrea: Pse nuk kujdeseni për veten tuaj?
Profesori: Jo që nuk kujdesemi për shëndetin, por…
Ardit Gjebrea: Ke shkuar në Itali dhe nuk ke shkuar të bësh analiza apo jp?
Profesori: Dëgjo, ka shumë njerëz që ca gjëra i kanë fobi, kanë frikë. Po unë nuk e bëj nga frika, por thjesht është ajo tjetra sikur kam diçka, një dhimbje dhe mendoj pasojat gjithmonë.
Ardit Gjebrea: Cili është meraku juaj? Hajde ta ndajmë bashkë.
Profesori: Unë vuaj njëçik nga sheqeri. Kisha një mikun tim te Spitali i Traumave këtu në Tiranë dhe në katin e dytë po ecja me këtë mikun përkrah, po vinte një mjek i thinjur po nuk e njihja se nuk ja vura mendjen. Erdhi u afrua më vari dy duart në qafë. U mundova t’i lexoja emrin, pashë vetëm mbiemrin Biba. Ishte një mjek. Gëzim Biba, punon te reparti i kockave. M’u kujtua për një çast nxënësi që kam pasur në shkollë. E kam pasur kujdestar klase në vitin ’82. Dhe m’u kujtua një çast që ai kur merrte 9, qante nëntë ditë. Ishte mësuar për të marrë gjithmonë dhjeta. Dhe më tha, si ke qenë me shëndet? I tregova sikur vuaj njëçik nga diabeti. Kur më krijohet plaga nuk më kalon shpejt. Biles ka zgjatur deri në 6 muaj. Më tha duhet të bësh analizat, megjithatë tani kanë dalë ato metodat e reja një të shpuar te gishti dhe e provon se sa e ke insulinën në gjak.
Ardit Gjebrea: Nga ky moment do shkoni drejt e në spital profesor. Doktoreshë Blertina është endokrinologe, vjen nga spitali Hygeia, doktor shkencash mjekësore.
Doktoresha: Unë jam këtu për t’iu ndihmuar dhe për t’iu bindur për ndjekjen që ju duhet të bëni për shëndetin tuaj. Unë e dëgjova bisedën tuaj dhe më erdhi mirë kur ju përmendët vet që një nga mjekët që ju foli ishte një nga nxënësit tuaj më të mirë dhe më vjen mirë që vazhdon ende që në mjekësinë shqiptare realisht shkojnë nxënës të mirë të cilët janë të preokupuar dhe duan më të mirën për pacientët e tyre. Ju keni një sëmundje kronike Diabeti i sheqerit është një sëmundje kronike e cila ka nevojë që në hapet e vet ka nevojë për të pasur mjekun nga pas. Në mënyrë të tillë që të dimë gjendjen ku është organizmi juaj, mjekimi që ju përshtatet juve. Suksesi në mjekësi te ne është trajtimi sa më mirë i diabetit dhe parandalimi i komplikacioneve të mundshme të tij.
Ardit Gjebrea: Profesor, keni besim te doktoreshë Blertina? Është ndër më të mirat që ka Shqipëria.
Profesori: S’i s’kam besim. Shpresoj që një ditë të bëhem pacient i saj.
Ardit Gjebrea: Ti që në këtë moment do jesh pacient i saj, sepse ne komunikuam me spitalin Hygeia se unë doja fort që doktoreshë Blertina të ishte pikërisht ajo këtu dhe ju konsultën dhe të gjitha vizitat që tha doktoreshë Blertina në momentin e parë i keni të ofruara nga spitali Hygeia, nuk do të shpenzoni asgjë. E di që nuk është ky problemi juaj. Gjithashtu mora kontakt me doktor Hasanin dhe në momentin e parë që ai do të jetë në Shqipëri ju do të bëni një vizitë tek vet doktor Miniri për të parë dhe problemin e shikimit.
Profesori: Shumë faleminderit.
Ardit Gjebrea: Meqënëse ne si “E Dielë Shqiptare” dhe unë si Ardit kemi hashtagun #tëgjithëbashkëmundemi, të gjithë bashkë mundemi që t’i shërbejmë dhe t’i hyjmë në punë njëri-tjetrit sepse për këto ditë jemi.
Ardit Gjebrea: Je e lumtur?
Vajza: Shumë e lumtur?
Ardit Gjebrea: Je një shembull i dashurisë së vajzës për babain. Dhe bashkë me doktoreshën do t’ju lutesha ta takonim babin tuaj.
Duke dhënë një shembull edhe për të gjithë qytetarët që të mos neglizhojnë vizitat tek mjeku dhe kurimin, profesor Meti pranoi sëmundjen e tij dhe do të kurohet në spitalin Hygeia në kryeqytet. /tvklan.al