Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha foli sot në Kuvend për një kompani në Elbasan e cila sipas tij po hetohet për trafik ndërkombëtar të heroinës, por që ka marrë 90 tenderë me vlerë 20 milionë euro.
Lideri demokrat nuk përmendi emrin e kompanisë, por iu drejtua Ramës se mund të pyeste kryebashkiakun e Elbasanit Qazim Sejdini për këtë çështje.
“Cila kompani në Elbasan ka përfituar 90 tenderë 20 milionë euro. Kush e ka këtë kompani? Pyete Qazon se ta thotë. Kjo kompani që merr gjithë këto tendera me firmë qeverie, është pjesë e hetimit ndërkombëtar sepse përbën një nga nyjet e infrastrukturës së heroinës. Po këtë e di? Po raportin e KiE e lexove para tre ditësh? Apo e kemi futur ne në xhep edhe Këshillin e Europës ku thuhet se paratë pastrohen përmes kontratave qeveritare dhe sistemit financiar”, tha Basha.
Ai kërkoi nga Rama që t’i japë zgjidhje politike kësaj situate sipas tij të ndikuar nga krimi i organizuar që ka kapur edhe qeverinë.
“Përgjegjësia ime është të të jap një rrugëzgjidhje politike, përgjegjësiajote ta kuptosh se je në moment kritik dhe treni po të afrohet shumë shpejt. Hapi rrugë me zgjidhje politike, jepi fund qeverisjes zombie, për një qeveri antimafia. Hapja rrugës, njëherë në jetën tënde bëhu pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit. Kjo rrugë do të hapet. Këtë rrugë ne do ta hapim me koston më të ulët, por çdo kosto, çdo çmim do jetë më e ulët se kostoja e krimit të qeverisë”.





