Spartak Braho e konsideron një gabim të rëndë të LSI-së refuzimin e koalicionit me PS-në në zgjedhjet e fundit.

Që pas kalimit të LSI-së në opozitë, Spartak Braho u shkëput nga LSI dhe tani është këshilltar i Edi Ramës në kryeministri. Në një intervistë për “Dita”, Braho konfirmon ndarjen me Ilir Metën dhe LSI-në, që sipas tij ka hyrë në një rrugë pa krye pas Partisë Demokratike.

“Tani ndarja ndërmjet PS-së dhe LSI-së është e madhe, me gjasa përfundimtare, sa kohë që secila palë ecën në krah të kundërt. Koha padyshim do të jetë gjykatësi më i mirë. Koha do të më gjykojë edhe mua nëse bëra mirë që pranova ftesën për të qenë efektivisht pjesë e strukturave politike të PS-së. Raportet e mia politike me LSI-në tashmë kanë përfunduar. Pa keqardhje. Nuk mund ta shoqëroja atë në rrugëtimin e partisë së Lulit e Saliut në rrugën pa krye ku kanë hyrë”, thotë ai.

I pyetur gjatë intervistës në Dita për të famshmen “çantë e zezë”, Spartak Braho nuk i shmanget përgjigjes:

“’Çanta’ e zezë që ende kujtohet, ka patur simbolikën në kontekstin një ngjarje të caktuar, siç ishte çështja “Meta-Prifti” ose “7 apo 700”. Në atë proces hetimor e gjyqësor u luftua me filmime dhe antifilmime, me përgjime e anti përgjime, me intriga e falsifikime.
U implikuan goxha aktorë, personazhë politikë e biznesmenë me historira, karaktere nga më mostruozet. I angazhuar për të ndihmuar në sqarimin e situatës në një emision “Opinion” unë isha i pranishëm së bashku me materialet dhe ekspertizën e nevojshme sqaruese të futura në një çantë dore.
E thashë edhe me sipër çanta e zezë ishte simbolika dhe vetë memoria e asaj çështje që bëri bujë. Mesa shoh tani çantat fizike janë zëvendësuar me çanta dixhitale dhe i kanë nxjerrë jashtë përdorimit të parat”, shprehet Braho.