“A parashikon Banka e Shqipërisë masa të cilat do të parandalojnë hyrjen e parave të drogës, të pista, mund t’i quajmë si të doni ju, ose e thënë ndryshe a është në gjendje BSH që të njihet me burimin e këtyre parave që i përkasin projektit 1 miliard eurosh në buxhetin e shtetit shqiptar?”, – ishte pyetja që deputetja e Partisw Demokratike, Fatbardha Kadiu i drejtoi Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Sejko, nw Komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat.

Sejko pranoi se banka nuk është në gjendje të verifikojë burimin e këtyre parave.

“Në këto kushte ne nuk jemi në gjende, sepse qeveria e ka bërë publike listën e projekteve. Ne si bankë e këshillojmë qeverinë për ruajtjen e parametrave kryesore makroekonomike, që janë mosrritja e borxhit, ruajtjen e konsolidimit fiskal, përputhjen e politikës monetare me politikën fiskale. Këto janë parametrat kryesorë që ne synojmë. Shqipëria ka nevojë për investime, duhet të përshpejtojmë rritjen ekonomike dhe këto projekte duhet të jenë të mirëmenduar, të mirëstudiuara”, tha guvernatori.

Deputetja e PD-së theksoi se duke parë zhvillimet e fundit të Shqipërisë, deklaratat e kryeministrit, apo aferat e fundit korruptive që ndodhin brenda qeverisë shqiptare, Banka e Shqipërisë duhet të propozojë sugjerime konkrete për këtë buxhet që kjo qeveri të marrë masa të tjera pikërisht për të parandaluar efektet negative të këtyre elementeve që kanë të bëjnë me stabilitetin ekonomik të vendit.