Kryeministri Edi Rama ka deklaruar për herë të parë, se nga buron dëshira për të veshur shallvare, që janë komentuar gjatë në opinionin publik.
Ai tha nga emisioni “Studio e hapur” përballë Eni Vasilit se është vetvetja kur vesh poture, apo shallvare siç i quajti, ndërsa u shpreh i sigurt se e njeh shumë mirë protokollin dhe etikën e veshjes. “Po të vishej Saliu kështu edhe unë do thosha çfarë pati”, tha kryeministri për të treguar se gjithçka vesh është mëse normale për dikë si ai.
Pse vishet Rama si asnjë tjetër kryeministër në Europë?
Do i quaja shallvare, më habit fakti që akoma nuk janë mësuar me mua. Kur isha në shkollë shkonim me tren në plazh, njerëzit hidheshin nga treni sa afroheshin në stacionin e plazhit. Pse? Se dilje dhe ishin dy radhë…ajo më kujtohet sa herë flasin si u vesh, pse u vesh, dy radhë njerëzish në të dyja anët me gërshërë në duar dhe shikonin të rinjtë nga pantallonat. Kishte dalë flama kundër pantallonave kauboj. Ua fusnin gërshërën, iu çanin pantallonat dhe për flokësh i çonin në polici. Ajo kohë ka vdekur.
Ju s’jeni njeri i thjeshtë, jeni zgjedhur kryeministër… ka një protokoll
Mos u shqetëso për protokollin, nuk shqetësohen as ata që e kanë krijuar protokollin. Këtu bëhen më katolik se Papa
Po jeni bërë lajm gjithandej…
S’ka pasur asnjë lajm pse ky me këto, pse me ato. Dhe të jeni e sigurt unë di çfarë bëj. E kam pasur ëndërr t’i kemi një palë të tilla kur pashë kostumet e myzeqarëve. Shyqyr që erdhi koha i bëra. Tani do merreni edhe me pantallonat e mia
Ju i bëni, nuk i bëni kot e thatë vetë…
Po të vishej Saliu kështu edhe unë do thosha çfarë pati.
Çfarë kërkoni të na komunikoi me stilin tuaj?
Keni parë ndonjë kryeministër 198 cm? Keni parë ndonjë tjetër që quhet Edi Rama dhe flet shqip? Ky jam unë. Njerëzit më njohin. Ma kanë dhënë besimin se s’ua kam marrë votën t’ju imponoj si vishem por për të bërë punët për të cilat më kanë besuar.





