“Paragjykimet që e shohin gruan si një qenie të brishtë, të dobët dhe të paaftë për vendimmarrje të rëndësishme po zbehen dhe po i përkasin një periudhe të shkuar”,- shprehet Ledia Rama Kovaçi, përgjegjëse e një sektori në Drejtorinë Arsimore Rajonale Durrës dhe njëkohësisht anëtare e Këshillit Bashkiak. Ndërsa skepticizmi i meshkujve mbështetet në tezën se një punë që nuk e bëjnë dot ata nuk e bën dot një grua, femra në të gjitha sferat e jetës duhet të demostrojë aftësitë e veta dhe të gjitha së bashku të mbështesin njëra tjetrën për një qëllim, kauzën e përbashkët: zhvillimin dhe emancipimin e tyre.
Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?
Mund të them se në ditët e sotme është paksa e vështirë që të jesh grua në karrierë. Vështirësitë mund të shikohen në këndvështrime të ndryshme. Pikë së pari mendoj se vështirësia qëndron tek mentaliteti i trashëguar, i cili kërkon kohën e tij për të ndryshuar, aq më tepër në kushtet e një shoqërie si e jona që ka kaluar një periudhë të gjatë regjimi totalitar dhe vetizolimi. Pa lënë mënjanë edhe faktorë të tjerë të rëndësishëm si ata ekonomikë, socialë apo familjarë.
Mendoj se problematikat më të shpeshta, qoftë me eprorët apo vartësit meshkuj janë rrjedhojë e një ndjenje mosbesimi në kapacitetet e aftësitë tona. Në shumë raste dominon skepticizmi i meshkujve se “një punë që nuk e bëjnë ata nuk ka se si ta bëjë një grua”!
A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?
Kuptohet se pa sakrifica nuk mund të arrish objektivat apo qëllimet që i ke vënë vetes. Sakrificat shtrihen në shumë drejtime. Sakrifica më e madhe është ndaj vetvetes, sepse për të arritur një objektiv karriere, qoftë profesionale apo politike, detyrimisht duhet të privohesh në disa drejtime. E thënë më thjesht duhet të sakrifikosh disa dëshira të tuat, të sakrifikosh në planin shoqëror dhe jo rrallë edhe në atë familjar. Për këtë të fundit kam fatin të kem mirëkuptimin dhe përkrahjen maksimale të bashkëshortit tim dhe them se kjo është një pikë e fortë që çdo grua duhet ta arrijë, në rrugën e saj drejt emancipimit e progresit.
A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?
Do të ishte hipokrizi të thoja me plot gojën JO. Kam përshtypjen se skepticizmi i burrave është sa gjenetik, aq edhe i kultivuar, sidomos në këto vite tranzicioni që kemi kaluar. Gjatë kësaj periudhe ka patur shumë faktorë objektivë dhe subjektivë që e kanë inkurajuar këtë skepticizëm (papunësia, emigracioni, xhelozia, dhuna në familje etj.). Siç e thashë edhe më sipër skepticizmi shfaqet më shumë lidhur me aftësitë që ka një grua për të ushtruar një funksion apo detyrë që deri dje ka qenë monopol i meshkujve. Në këtë kontekst gruaja është parë përgjithësisht si një gjë e brishtë, e dobët dhe e paaftë për vendimmarrje të rëndësishme….Mendoj se këto paragjykime gjithnjë e më shumë po zbehen dhe po i përkasin një periudhe të shkuar.
Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?
Duke u nisur edhe nga profesioni im që është arsimtare (ku kontigjenti i femrave është gjithnjë në rritje), nga detyra aktuale që ushtroj si edhe nga bashkëbisedimet e shpeshta mes kolegesh të fushave të ndryshme (drejtim, biznes, politikë etj.) mendoj se raportet me vartëset femra janë disi më të vështira e të komplikuara krahasuar me ato meshkuj. Kjo vjen natyrshëm për faktin se femra karakterizohet nga një ambicie për të nxjerrë në pah vlerat që zotëron dhe për të arritur qëllimet që i vë vetes, madje duke ndjekur (apo imituar) modele të caktuara…
Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton?
Është e vërtetë që numri i grave të angazhuara është rritur ndjeshëm në të gjitha aspektet e jetës, si në politikë, biznes, drejtim, administratë etj, kjo falë një politike gjithëpërfshirëse e prioritare të qeverisë qendrore, duke e sanksionuar këtë angazhim edhe me ligjislacionin përkatës. Fatmirësisht, duke qenë se edhe i përkas një force politike mazhoritare, jam dëshmitare reale e kësaj arritje, ku përmend këtu jo vetëm ligjin e 30% të pjesëmarrjes së gruas në politikë e vendimmarrje, por edhe përkrahjen e fuqishme që kjo forcë politike i jep grave, duke i besuar jo vetëm poste të rëndësishme drejtuese, por edhe organizime e veprimtari të ndryshme për gjallërimin e jetës së tyre dhe të komunitetit. Vlen të theksoj këtu se Qarku i Durrësit është i vetmi në Shqipëri që drejtohet nga një grua; PD-ja në Këshillin Bashkiak të Durrësit përmbush detyrimin ligjor të përfaqësimit të grave me 30%.
Kjo është shprehje e qartë e rritjes së shkallës së ndërgjegjësimit dhe mbështetjes që politikëbërësit kanë për potencialin e pashtershëm të femrës shqiptare, por edhe të suportit që vetë ne gratë duhet dhe po i japim gjithnjë e më shumë njëra-tjetrës, për të lartësuar rolin tonë të pazëvendësueshëm, jo vetëm si trashëgimtare të jetës, si edukatore të brezave, por edhe si organizatore, nismëtare e lidere në çdo fushë të jetës. Për të gjitha këto sa më lart, kam bindjen se angazhimi i grave luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe emancipimin e tyre, duke mbështetur fuqishëm njëra-tjetrën, për një kauzë të përbashkët, atë të zhvillimit të gjithanshëm e të plotë të vendit tonë. Motoja ime është: “Ndryshimi i vërtetë fillon nga ne, pasi e ardhmja e gruas është e ardhmja e Shqipërisë”!