Fertoza Izvira, kryetare e forumit të grave të LSI-së, dega Durrës, dhe njëkohësisht drejtoreshë e Privatizimeve të Aseteve Shtetëtore pranë Prefekturës Durrës nënvizon se para së gjithash që të realizohet sa më shpejt barazia gjinore mes sekseve, që gratë të konkurojnë denjësisht në poste drejtuese dhe të realizojnë një performancë sa më të mirë në vendin e punës, femra duhet të rrisë vlerësimin për potencialin e saj, për kapacitet dhe aftësitë intelektuale. Solidariteti mes femrave shihet prej Izvirës si një gur i rëndësishëm në themelet e barazisë gjinore.
Sa e vështirë është të jesh grua në karrierë në ditët tona dhe cilat janë problematikat më të shpeshta me të cilat përballeni qoftë me eprorët apo vartësit tuaj meshkuj?
Përgjithësisht jam karakterizuar nga besimi e optimizmi, për të qenë e kompletuar me nivelin e grave të ditëve tona. Besimi dhe optimizmi më kanë bërë që të përballem me vështirësitë e punës. Të jesh grua në karrierë, në rradhë të parë, është sodisfaksion dhe krenari për veten, sepse pas çdo hapi të bërë ka shumë punë, energji, kohë e mund. Personalisht, mendoj se kam raporte mjaft të mira, në respekt e vlerësime reciproke, si me eprorët e mi meshkuj, e po ashtu me vartësit e seksit tjetër. Ne punojmë bashkarisht, në marrëdhënie konstante mirëbesimi e bashkëpunimi, për të arritur objektivat që i kemi vënë vetes.
A ju është dashur të sakrifikoni për të arritur objektivat që i keni vënë vetes?
Gjithsecili prej nesh ka objektiva përpara vetes, qofshin ato në sferën personale, familjare etj. E të luftosh për t’i arritur ato është një sfidë e vetë jetës. Shpesh kjo kërkon sakrifica, ka koston e saj, pasi për të arritur diku apo diçka ndodh që na duhet të heqim dorë nga gjëra të tjera, herë të rëndësishme e herë të tjera më pak të rëndësishme. Kështu p.sh. për një femër nuk është e lehtë të organizojë dhe menaxhojë një jetë personale, familjare dhe profesionale apo politike, pasi shpesh jemi të detyruara të heqim dorë nga ato kënaqësitë e vogla e të mëdha që të jep koha si nënë apo si amvisë shtëpie, koha mes një shëtitjeje buzë detit apo një kafe me shoqet. Shpesh këto bëhen të vështira për t’u realizuar, pasi koha që të marrin impenjimet e karrierës, është përkushtim që shpeshherë, deri diku, ia mohon familjes apo shoqërisë. Megjithatë, mendoj se ia kam arritur të mos humbas gjërat e rëndësishme që kanë vlerë për mua, si rritja e vajzave të mia, koha e kaluar me to e familjen time, përkrah kohës në punë e politikë.
A përballeni me skepticizmin e burrave gjatë ushtrimit të detyrës?
Burrat mendojnë përherë që janë të vetmit apo më të aftët e të përshtatshmit për të bërë çdo punë. Por unë them: Le t’i lëmë të mendojnë një gjë të tillë e ne të vazhdojmë të veprojmë. Koha dhe jeta sot po tregojnë ditë pas ditë që ne, femrat, jemi absolutisht të afta e të zonjat të përballemi me çdo punë, e madje ta kryejmë atë jo vetëm mirë, por shpesh edhe më mirë se meshkujt. Desha të shtoj këtu që edhe nëse ka mbetur ndonjë profesion apo pozicion pune, ku akoma gratë nuk kanë arritur të depërtojnë, për natyrën apo specifikat e asaj pune, duhet të kemi parasysh se pas meshkujve që e bëjnë atë punë jemi prapë ne femrat, që me mbështetjen dhe forcën tonë i motivojmë ata. Unë vetë e kam ndeshur apo vuajtur pak ose aspak diskriminim mashkullor ndaj aftësive të mia personale.
Gjithnjë flitet për vështirësitë që mund t’i krijohen një femre nga kolegët e saj meshkuj, por pak flitet për raportet me vartëset femra. Si mund t’i vlerësoni këto raporte?
Ehh. Po filloja të zbavitesha me këtë idenë e konfliktit apo “luftës” mes sekseve, mashkull – femër, të cilën siç thashë vetë nuk e kam ndeshur si problem. Por tani që po më pyet për raportin e kundërt, atë mes femrave…. Ehh… Këtu po filloj t’i zgjedh më mirë fjalët…. Bëj shaka.Dinamikat që shoqërojnë raportet mes femrave, përfshirë dhe ato mes eprores dhe vartesve, janë shumë të ndryshme nga ato me meshkujt. Mund t’i quajmë më të thjeshta, në njëfarë mënyrë, sepse janë më të parashikueshme, pasi ne e njohim mirë si arsyeton, ndjen, kërkon apo mendon një femër, duke qenë dhe vetë të tilla. Sikur ne femrat të mësonim të ishim më shumë solidare e më pak xheloze do kishte më shumë kandidatura femra për presidente sot, dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për kreun e shtetit, por edhe në sipërmarrjet private. Me aq pak hapësirë sa i ka lënë femrës historia, feja, zakonet e mentaliteti në shekuj po ta krahasojmë me ku ka arritur femra sot unë e shoh me optimizëm e pozitivitet të ardhmen e grave dhe bashkëpunimit femëror.
Numri i grave të angazhuara në pozicione drejtuese në parti politike, në biznes, në administratën publike etj. ka ardhur duke u rritur vitet e fundit. Sipas jush çfarë duhet bërë më shumë në këtë drejtim për t’i dhënë femrës vendin që meriton?
Gratë e vajzat shqiptare nga vetë karakteri e natyra e tyre janë të urta e delikate, janë të dashura e gjithëpërfshirëse. Nuk i konceptojmë dot ndarjet e përçarjet partiake, që s’kanë të bëjnë me alternativa zhvillimi, por thjesht janë një pasqyrë e luftës së klasave të dikurshme, por e shprehur në kushtet e reja të pluralizmit politik. Por kjo luftë e paprecedentë s’ka asgjë të përbashkët me pluralizmin dhe me synimet e tij për zhvillim e përparim të përshpejtuar e të gjithanshëm të shoqërisë shqiptare. Femra ka patur ndër shekuj pak hapësirë e mundësi zhvillimi, angazhimi, pretendimi, sepse interesa të ndryshëm kanë ushqyer gjithmonë nënshtrimin e tyre, por sot ky vizion ka ndryshuar shumë, kudo në botë e në Shqipëri po ashtu.
Sot femra ka kuptuar dhe demostruar që mund të bëjë gjithçka, po aq shumë e po aq mirë sa mund ta bëjë dhe një mashkull. Mund të bëjë dhe nënën, dhe gruan, dhe karrierën pa përjashtuar as njërën as tjetrën. Është e vërtetë që ndryshime sot ka shumë, por akoma mbetet shumë për të bërë, në shumë drejtime, në shumë mënyra. Do dëshiroja të theksoja që së pari e mbi të gjitha duhet filluar nga vetë femra, puna për ndryshimin dhe rritjen profesionale të saj. Duke u bindur ajo vetë që vlen shumë e që mund të bëjë gjithçka, kur vetë femra të ketë më shumë besim tek vetja, tek aftësitë e mundësitë e saj sot, atëherë do të kemi vërtet rezultate më të mira, më të dukshme, më cilësore. Dua ta mbyll këtë intervistë me një apel drejtuar gjithë grave: “Duaje dhe vlerësoje veten tënde, që të të duan e të të vlerësojnë edhe më shumë të tjerët! Është koha jonë!“.