Femrat shqiptare kanë akses në arsimim, por lë shumë për të dëshiruar përfaqësimi i tyre në fushën ekonomike e politike

Ligji nr. 9970 “Për barazinë gjinore në Shqipëri” i dekretuar nga presidenti Bamir Topi në datë 24.07.2008,  ka për qëllim të rregullojë çështjet themelore të barazisë gjinore në jetën publike, të mbrojtjes dhe trajtimit të barabartë të grave dhe burrave për mundësitë dhe shanset e barabarta për ushtrimin e të drejtave si dhe për pjesëmarrjen e ndihmesën e tyre në zhvillimin e të gjitha fushave të jetës shoqërore. Pra e thënë më thjesht ligji garanton barazi dhe të drejta të njëjta mes dy sekseve përsa i përket përfaqësimit në të gjitha sferat e jetës. Por sa zbatohet kjo në praktikë?

Në klasifikimin e organizatës ndërkombëtare Watchdog, të publikuar pak muaj më parë, që ka marrë në analizë 154 vende të botës lidhur me aksesin e gruas në arsimim, fushën ekonomike dhe në politikë, Shqipëria konsiderohet si një vend me indeks shumë të ulët të barazisë gjinore. Shqipëria bashkë me Turqinë dhe Maltën sipas klasifikimit të kësaj organizate janë vendet me Indeksin më të ulët të Barazisë Gjinore në Europë. Në bazë të treguesve në këto tri fusha, vendi ynë rezulton të ketë një indeks prej 55 pikësh. Para Shqipërisë është Malta me 63 pikë dhe pas saj është Turqia me 45 pikë. Indeksi i nivelit "të ulët" të barazisë gjinore në Europë është 73 pikë. Këto shifra tregojnë më së miri se, megjithë kuadrin ligio, situata në vendin tonë paraqitet mjaft kritike, pasi ligji mbetet vetëm në letër. Raporti nënvizon se femrat shqiptare kanë akses të mirë në arsimim, por në dy fushat e tjera përfaqësimi lë shumë për të dëshiruar, një fenomen ky i pranuar nga të gjithë.

Por krahas përfaqësimit, një fenomen tjetër shqetësues për gratë mbetet edhe diskriminimi apo ngacmimi seksual në vendin e punës. Në ligjin nr. 9970, “Për barazinë gjinore” sanksionohen qartë përgjegjësitë e punëdhënësit në rast se konstaton raste të tilla dhe nuk zbaton dispozitat ligjore të legjislacionit në fuqi. Në nenin 18 të këtij ligji renditen përgjegjësitë e punëdhënësve për mbrojtjen e punëmarrësit nga diskriminimi, ngacmimi dhe shqetësimi seksual. Në një sërë pikash të këtij ligji specifikohen masat që duhet të ndërmarrë punëdhënësi nëse konstaton në mënyrë të drejtpërdrejtë apo tërthorazi raste të diskriminimit apo ngacmimit seksual në vendin e punës. Krahas masave që duhet të ndërmarrë për mbrojtjen e punëmarrësve, në nenet 27 dhe 28 sanksionohet se punëdhënësi rrezikon të dënohet me gjobë dhe sanksione në rast të shkeljes së nenit 18, pika 2, shkronja b., gjoba, të cilat shkojnë në vlerën 30.000-100.000 lekë, ndërkohë që nëse konstatohet një vepër penale atëherë dënimi varion në varësi të dispozitave të Kodit Penal.

Pra kuadri ligjor ekziston, mjafton që femrat apo dhe meshkujt, në raste të veçanta, të bëjnë denoncimet përkatëse në mënyrë që ligji të nisë të funksionojë. Ndërgjegjësimi i të gjithëve për forcën zbatuese të ligjit, por mbi të gjitha për të kërkuar të drejta të barabarta gjatë ushtrimit të detyrës si dhe në përfaqësimin në sfera të ndryshme të jetës shoqërore dhe politike do të bëjë të mundur që rastet e pabarazisë gjinore të nisin të reduktohen në numër dhe shoqëria shqiptare të jetë një shoqëri më e hapur dhe më e emancipuar. Për të evidentuar këtë problematikë mjaft serioze që ka të bëjë drejtpërdrejt me barazinë gjinore gazeta “Dyrrah” do të vazhdojë rubrikën e saj “Një hapësirë dedikuar femrave” e ku gratë do të mund të shpalosin opinionet e tyre lidhur me rrugët që duhet të ndiqen për rritjen e përfaqësimit të femrave në vendimmarrje e jo vetëm.



 

Ligji nr. 9970 “Për barazinë gjinore”

 

                             Neni 18

 

Përgjegjësitë e punëdhënësit për mbrojtjen e punëmarrësit nga diskriminimi, ngacmimi apo shqetësimi seksual

 

                Pika 2, shkronja B

   

Punëdhënësi, për të mbrojtur punëmarrësit nga diskriminimi, ngacmimi e, veçanërisht, shqetësimi seksual detyrohet: nëse merr dijeni, në mënyrë të tërthortë ose me një ankesë nga një punëmarrës, i cili pretendon se është diskriminuar, ngacmuar apo shqetësuar seksualisht nga një punëmarrës tjetër, pasi bindet, merr masat e duhura organizative për ndalimin e vazhdimit dhe parandalimin e diskriminimit, të ngacmimit ose shqetësimit seksual dhe zbaton sanksionet disiplinore.