Aplikimi i taksave të para viteve ’90 nga shteti fqinjë, Itali, penalizon shoqëritë shqiptare të transportit ndërkombëtar. Për të eleminuar humbjet, kompanitë e transportit kanë nisur t’i çrregjistrojnë mjetet e tyre nga regjistrat shqiptarë e t’i matrikullojnë në vendet e rajonit
Kompanitë e transportit ndërkombëtar braktisin vendin dhe regjistrohen në shtetet fqinjë. Vetëm gjatë javës së fundit janë çregjistruar 12 kamionë në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit rrugor në Durrës nga tre kompani transportuese, të cilat bëjnë regjistrimin e mjeteve të tyre në Maqedoni, Bullgari dhe shtete të tjera. Burime zyrtare nga Shoqata e Transportuesve bëjnë me dije se janë rreth 200 kamionë, të cilët po paguajnë detyrimet në shtetet fqinjë duke u targuar jo më me targën “AL”, por me targa të Maqedonisë, Bullgarisë etj., vetëm për të shmangur taksat e larta në shtetet europiane. Tipik është problemi me Italinë, ku asnjë vit nuk plotësohen nevojat e transportuesve për leje kalimi. Si rrjedhojë, kanë mbetur pa punë shumë aktivitete të përbashkëta me investitorët italianë, ku janë punësuar shumë qytetarë shqiptarë. Në krahun tjetër, Shqipëria me Italinë operon me parimin e reciprocitetit, çka përkthehet, se të njëjtën taksë që paguajnë kamionët në Itali paguajnë edhe në Shqipëri, duke bllokuar aktivitetin edhe për shtetasit italianë në vendin tonë. Shoqëritë e Transportit Ndërkombëtar në Durrës dhe në Tiranë shprehen se sektori i transportit ndërkombëtar ndihet i persekutuar prej 18 vjetësh, pasi në Itali është i detyruar të paguajë një taksë së cilës i nënshtrohen vetëm tre vende aziatike, Iraku, Libani dhe Siria. Edhe pse ky problem është ngritur deri në rang diplomatik, përsëri kamionistët shqiptarë trajtohen nga ana e palës italiane njëlloj si iranianët dhe sirianët. Nuk ngjet kështu për kamionistët e vendeve të tjera, për të cilët rrugët e Italisë janë të lira dhe taksat shumë herë më të ulëta.
Shqetësimi
"Veç lejeve të qarkullimit, sektori ynë i transportit ndërkombëtar ndihet i persekutuar për herë të dytë nga ana e palës italiane. Ai është i detyruar të paguajë një taksë së cilës i nënshtrohen vetëm 2 vendet aziatike, Irani dhe Siria", – pohojnë pronarët e Agjencive të Transportit Ndërkombëtar në Durrës. Sapo shkelin në Itali, kamionistët tanë janë të detyruar të paguajnë taksën e peshës. Për çdo ton ngarkesë paguhet 10 euro taksë. Pra, për një rrugë vajtje-ardhje nga Italia, për një kamion 25 tonësh, taksa është 500 euro. Kjo taksë e rëndon mjaft ekonominë e tranportuesve tanë, pasi janë të detyruar që çdo rrugë ta nisin me minus 500 euro, në një kohë që homologët e tyre paguajnë deri në 50 euro taksë. Kështu p.sh, një kamion maqedonas paguan vetëm 35 euro për rrugën vajtje-ardhje nga Italia.