Në kampionatin kombëtar të atletikës hedhësi durrsak i gjyles, Adriatik Hoxha, u shpall atleti më i mirë i këtij aktiviteti sportiv. Ndërsa premton se është i vendosur ta hedhë gjylen deri në 20 metra largësi, Adriatiku apelon për mbështetje financiare nga ana e bashkisë së Durrësit
Atleti 22 vjeçar i Teutës Adriatik Hoxha, trondit përsëri rekordin kombëtar në shtytjen e gjyles. Për herë të parë Adriatiku e kaloi kufirin e 18 metrave, në garën ndërkombëtare të Tivarit (Mali i Zi) zhvilluar më 1 maj. U deshën të kalonin 38 ditë dhe rekordi “luan” sërish nga vendi. Krahët e fuqishëm të Adriatik Hoxhës e flakën sferën me peshë 7 kilogram e 250 gram nga vendi i nisjes 18 metra e 18 centimentra, nga 18.14 metra që ishte më parë. Me këtë rekord Adriatiku sfidon skeptikët, që jo pak zënë vend edhe në Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, të cilët në mënyrë arbitrare i hoqën bursën olimpike për Londër 2012. Por pasioni dhe “inati” i tij sportiv, mbështetja e fuqishme e familjes, angazhimi sakrifikues i trajnerit Emin Kosturi krijuan atë trinom aktiv që po identifikohen vetëm me rekorde. Nëse në Malin e Zi Adriatik Hoxha e përmirësoi rekordin në hedhjen e gjashtë, pra të fundit, në Tiranë më 7 qershor 2012 në kuadrin e kampionatit kombëtar të atletikës shifra e re fiksohet që në flakjen e dytë.
Para lojërave olimpike Londër 2012, Hoxha shpreson për ta dërguar gjylen deri në 18.50 metra. “Po ju tregoj një sekret,- thekson trajneri i tij, Emin Kosturi. Adriatiku e përjeton shumë garën dhe rivali numër një i tij në garë janë emocionet. Sekreti që do t’ju tregoj është, se në stërvitje gjylen e kemi hedhur më shumë se 19 metra. Kjo tregon rezervat e mëdha të pashfrytëzuara ende që ka Adriatik Hoxha, por që do t’i bëjnë gjithnjë interesante flakjet e tij. Rekordet janë të pritshme në çdo garë dhe në çdo vend që mund të organizohen ato”. Ndërsa vetë atleti Hoxha thotë: “Nuk dua të ma merrni për mburrje. Gjithnjë kam qenë modest në deklarimet e mia. Shumë shpejt po përgatitem seriozisht ta hedhë gjylen në kuotën e 20 metrave, që përbën një rezultat fantastik për atletikën shqiptare dhe mua më klasifikon në 10 më të mirët e botës në këtë disiplinë.
Pa dashur të qahem sepse këtë e kam treguar më së miri deri tani, kërkoj më shumë mbështetje në rradhë të parë nga “shtëpia ime” Bashkia e Durrësit. Jam krenar që kudo prezantoj qytetin tim të lindjes Durrësin, prandaj pres të më mbështesë më shumë në të ardhmen. Nuk është thjesht trajtimi ushqimor që duhet të ndryshojë, por edhe trajnimi stërvitor lipset të jetë edhe më i kualifikuar për të kaluar javë dhe muaj me trajnerin Kosturi në shtete të zhvilluara në këtë sport. Jap fjalën se do t’i bëj realitet këto premtime, që po deklaroj në gazetën tuaj”.