Koret raciste e fyerjet me baza etnike si dhe gjykimi i njëanshëm i ndeshjes karakterizuan ndeshjen finale në turneun ndërkombëtar të mundjes zhvilluar në Maqedoni. Një situatë e parapërgatitur më parë që ofronte gjithçka përveçse fair play. Kampioni i Teutës, Egzon Shala rrëfen momentet plot tension dhe gjestet antisportive të tizofëzve dhe gjyqtarëve maqedonas

Në turneun e përvitshëm  ndërkombëtar “Perla” që organizohet prej 36 vitesh dhe që njihet edhe nga FILA (Federata Botërore e Mundjes), mori pjesë edhe ekipi përfaqësues i Shqipërisë. Puna e shkëlqyer që bëhet me mundjen në Durrës, pasi Teuta është kampione absolute në Shqipëri, nxiti FSHM-në të dërgonte në Radovish të Maqedonisë 5 mundës të Teutës dhe trajnerin e tyre, mjeshtrin e njohur të tapetit Fuat Brahi. Dhe misioni u krye në mënyrën më të mirë. Imirjam Rabdishti fitoi medaljen e artë në peshën  60 kg, ndërsa Elton Hazuni në peshën 66 kg dhe Egzon Shala në 84 kg merituan medaljen e argjendë. Emiljan Sinameta në peshën 96 kg erdhi në Durrës me medaljen e bronzit. Më mirë nuk ka ku të shkojë. Por çfarë tërheq vëmendjen në këtë koment? Asnjëherë më parë në kësi ballafaqimesh, ku miqësia dhe mirëkuptimi reciprok ndërmjet sportistëve dhe ekipeve të shteteve pjesëmarrëse, është e detyrueshme të ngrihet në nivelet e fair play-it, tifozeria maqedonase kaloi çdo cak.

Kampioni i Kosovës, Egzon Shala, i cili më 20 janar 2011 është pajisur edhe me pasaportë shqiptare, është njëkohësisht edhe mundës i ekipit Teuta të Durrësit. Dhe në këtë garim pikant ndërkombëtar, përfaqësonte Shqipërinë. Por Egzoni tregon se në ndeshjen me mundësin maqedonas Atanasov, ka përjetuar një tmerr të vërtetë. Në tri ditët e zhvillimit të kampionatit “Perla” në Maqedoni, ngacmimet antishqiptare ishin të pranishme, por jo në përmasat që u manifestuan kur në finale të peshës 84 kg dolën maqedonasi Atanasov dhe shqiptari Egzon Shala. Ajo që mbetet shqetësuese ishte fakti, që me koret raciste të publikut përfshiheshin edhe vendimet arbitrare të gjyqtarisë vendase dhe anomalitë e organizatorëve. Provokimin e parë zyrtarët maqedonas të tapetit e dhanë, kur pa asnjë arsyje e vendosin Egzonin përballë të vëllait Edonit që përfaqësonte Kosovën. Veç kësaj i vendosën një nga mundësit më të mirë të ekipit bullgar. Ndërsa Atanosov-it, i caktuan vetëm një takim dhe këtë me një shokun e tij të ekipit. “Kjo nuk ishte parë e dëgjuar ndonjëherë”,- komenton këtë prapaskenë të shëmtuar Egzon Shala. “Për të arritur deri në finale u ndesha me disa mundës, ndërmjet tyre edhe me vëllanë tim. Ndërsa në finale mundësi maqedonas ishte plotësisht i shplodhur, pasi kishte bërë vetëm një ndeshje të lehtë. U vendosa në një sfidë të paparë dhe kjo jo sportive. Ndeshja finale ishte plotësisht e inskenuar dhe veçse për sport nuk mund të flitej më. Skenat e improvizuara ishin sa befasuese, aq edhe acaruese dhe të shëmtuara”,- kujton ai.

Dhe më tej kosovari tregon se sapo filloi ndeshja, i tërë publiku maqedonas i pallatit të sportit të qytetit Radovish, krijoi stres psikologjik të paparë ndaj mundësit shqiptar. Por ajo që ndezi më shumë “gjakrat” ishin thirrjet e fuqishme raciste dhe me fyerje mbi baza etnike si: “Shqiptar i mirë, është vetëm shqiptar i vdekur”, “Vriteni shqiptarin” e shumë të tilla si këto. Por përgatitja e Egzon Shalës, këtij mundësi të shkëlqyer shqiptar, kampion absolut në peshën e tij në Kosovë dhe Shqipëri, dhe reagimet e tij spektakolare ishin përgjigja më e mirë ndaj nacionalistëve të pandreqshëm maqedonas. I pafalshëm ishte qëndrimi i paragjykuar i gjyqtarisë së ndeshjes. Kulmi arriti në dy momente: e para kur Egzoni e hedh në tyç kundërshtarin dhe e mbajti ashtu për 15 sekonda, të mjaftueshme për të mbaruar ndeshjen, ndërkohë që nuk u dha asnjë sinjal i tillë dhe e dyta, asnjë reagim edhe kur kundërshtari filloi ta kafshojë e godasë si gladiator. Vetëm për ndeshje sportive nuk mund të flitej më.

“Ndeshja është e filmuar,- thotë Egzoni,- dhe cilido bindet për epërsinë e padiskutuar që krijova në ndeshje. Gjithçka ishte e qartë. Skenari antishqiptar ishte përgatitur me kohë dhe s’kishte mbetur gjë tjetër veçse që ai të zbatohej në mënyrën më të turpshme. Për të evituar agravimin e mëtejshëm të situatës, pasi çdo gjë mund të ndodhte, babai im Sylejmani më dha urdhër të largoheshim nga pallati në shenjë proteste për këtë situata tmerri që  krijuan «majmunët»maqedonas”. Lidhur me këtë ngjarje, Federata Shqiptare e Mundjes i drejtoi një notë proteste homologes së saj maqedonase dhe Federatës Botërore të Mundjes, për të evituar në të ardhmen provokacione të tilla raciste dhe antisportive. Një gjë ishte e qartë si drita e diellit. Mundësi shqiptar i Teutës doli fitues i dyfishtë edhe i tapetit dhe i moralit të lartë njerëzor duke treguar kulturë dhe shkallë të lartë qytetarie dhe civilizimi.